Shefja e BE-së përgëzon Ukrainën për “përparim të shkëlqyer”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të shtunën se Ukraina ka bërë “përparim të shkëlqyeshëm” drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Ajo i ka bërë këto deklarata gjatë një vizite në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Sipas saj, Ukraina ka shënuar përparim në shumë drejtime, pavarësisht luftës së Rusisë në tokën e saj, dhe theksin e ka vënë në reformat në gjyqësor.
“Më duhet ta them se keni bërë përparim të shkëlqyeshëm. E di që jeni në proces të përfundimit të reformave të rëndësishme. Nëse kjo ndodh, jam e bindur se Ukraina mund ta përmbushë synimin ambicioz të kalimit në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit”, ka thënë von der Leyen.
Në vlerësimin që pritet ta publikojë BE-ja javën e ardhshme, do të shihet sa ka ecur përpara Ukraina në përmbushjen e kritereve të ndryshme, teksa e synon anëtarësimin në bllokun evropian.
Kievi ka aplikuar për t’u bërë pjesë e BE-së vetëm disa ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Zelensky ka thënë se Qeveria e Ukrainës i ka zbatuar të gjithë hapat e kërkuar, dhe është zotuar se do t’i çojë përpara reformat.
Ai ka thënë se është i gatshëm ta luftojë korrupsionin, ta përmirësojë transparencën, dhe ta zvogëlojë ndikimin e oligarkëve në ekonomi.
Të 27 vendet anëtarë të BE-së do ta mbajnë një samit në dhjetor, në të cilin do të vendosin nëse do t’ia mundësojnë Kievit nisjen e negociatave për anëtarësim.
#Shefja #BEsë #përgëzon #Ukrainën #për #përparim #të #shkëlqyer
Lapsi