Vendimi/ Qeveria shtyn kohën e qëndrimit të refugjatëve ukrainas

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Shqipëria “u hapi dyert” shtetasve ukrainas, të cilët u larguan nga vendi i tyre.
Një vendim i sotëm i Këshillit të Ministrave, u jep të drejtë shtetasve ukrainas të qëndrojnë deri në 17 shtator të këtij viti.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohën 8 ministri të vendit.
Kujtojmë se qindra gra dhe fëmijë refugjatë nga Ukraina, janë strehuar në Shqipëri pasi i ikën luftës së Rusisë.
“Një shtesë në Vendimin nr.173, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve ukrainas, personave pa shtetësi dhe personave që kanë fituar mbrojtje ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, dhe për krijimin e task-forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Pas pikës 3, të vendimit nr.173, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Me përfundimin e afatit, të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi, për personat që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi deri në datën 17.9.2023.”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në VKM.