Aktualitet

“KFOR të marrë veriun”/ Prishtina: Kërkesë e Vuçiç, Rama të heshtë dhe mos ndërhyjë

Deklarata e kryeministrit Edi Rama që KFOR duhet të marrë nën administrim veriun e Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë. Në një deklaratë për mediat, Rama tha se atje situata është e vështirë dhe se “për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

“Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse” – tha Rama.

Një përgjigje e dha kryeministri i Kosovës Albin Kurti që tha në një intervistë për media boshnjake se ka nevojë vetëm për patrullime të përbashkëta mes policisë së Kosovës dhe KFOR-it në zonën kufitare dhe jo në pjesën tjetër.


“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë – Serbi. Për sa u përket çështjeve të tjera, protokolli është përcaktuar tashmë. Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Unë nuk besoj se ky protokoll duhet të ndryshohet” – ka thënë Kurti në intervistë.

Një reagim të drejtpërdrejtë bëri në Facebook, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo thotë se kërkesa e sotshme e tij ishte frika më e madhe e Ramës dikur. Madje, Haxhiu thotë se kryeministri shqiptar po risjell një kërkesë të vjetër të presidentit serb.

“KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës” – kështu paska deklaruar sot Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë. Tre muaj më parë, saktësisht me 19 qershor, këtë qëndrim të tanishëm KM Rama e thoshte me brengë, si diçka që ka rrezik se mund të ngjajë, e jo si diç që duhet të bëhet! Në fakt, kjo kërkesë e re e tij nga një brengë e vjetër që besonim se e kishte është veçse kërkesë e stërvjetruar e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, – ka shkruar Haxhiu.

Më tej ajo thotë se nevoja është vetëm për patrullime të përbashkëta të Policisë së Kosovës me KFOR-in përgjatë kufirit me Serbinë, sepse prej andej vjen armatimi, municioni dhe mercenarët që duan luftë.

Për këtë çështje u pyet edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça. Në emisionin “TPZ” në MCN, ai tha se nuk ka nevojë që KFOR të marrë administrimin pasi këtë mund ta kryejë policia e Kosovës.

“Nuk ka nevojë KFOR-i që të marrë nën kontroll asgjë. Kemi policinë e Kosovës e cila po tregohet si një nga institucionet më të suksesshme të shtetit të Kosovës. Ajo po mbron sovranitetin dhe integritetin suksesshëm” – tha ministri që sqaroi edhe deklaratën e kryeministrit Kurti për patrullime të përbashkëta mes policisë së KFOR-it dhe policisë së Kosovës gjatë vijës kufitare.

LEXO EDHE: “KFOR të marrë veriun”/ Ministri i Brendshëm i Kosovës reagon pas deklaratës së Ramës

“Në kemi një vështirësi për sa i takon vijës kufitare apo zonës së gjelbër për shkak të marrëveshjes së Kumanovës e cila thotë se policia e Kosovës duhet të mbajë një distancë prej 1 km nga vija kufitare dhe prandaj kryeministri i Kosovës ka thënë se është mirë që brenda këtij shiriti të ketë patrullime të përbashkëta me KFOR-in, por nuk bëhet fjalë për menaxhimin e situatës në 4 komunat e veriut të Kosovës” – tha ministri.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendojse, Dimal Basha ka kërkuar që Rama të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.

“Vet KFOR-i është bind që Policia jonë ka kapacitete me mbajt rendin dhe sigurinë nê veri, del Edi Rama thotë, KFOR-i le ta merr përsipër sigurinë atje! Nuk meriton koment, veç s’pe kuptoj pse ka nevojë me fol se çka duhet me ba Kosova në vend t’vetin?” – ka shkruar Basha.

Një reagim të ashpër ka bërë edhe koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali që ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Rama. Mihali tha se ndihma më e madhe për Kosovën është heshtja e kryeministrit të Shqipërisë.

“Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën”, – ka shkruar Mihali.

Për deklaratën e Ramës reagoi edhe sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosjes, Alim Rama. Ai ka akuzuar kreun e qeverisë shqiptare se është koordinuar me të parin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Koordinim se jo mahi!!!” – ka shkruar Rama. ©



#KFOR #të #marrë #veriun #Prishtina #Kërkesë #Vuçiç #Rama #të #heshtë #dhe #mos #ndërhyjë

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button