8 masat e sigurisë nga GJKKO/ Çfarë është kontrata e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro?
Tetë urdhër arreste janë lëshuar nga SPAK për koncesionin e sterilizimit, një tender me vlerë 100 milionë euro. Nga këto, dy masa janë ekzekutuar. Konkretisht është arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Ndërkohë për dy zyrtarë, konkretisht Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe M.S drejtoreshe juridike është caktuara masa e “arrestit të shtëpisë”.
Ndërsa për rektorin e Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata dhe tre persona të tjerë, Pertef Mersini, Genc Burazeri, Naile Ajazi është caktuar masa e detyrimit të paraqitjes.
I pari që u mor në pyetje nga prokurorët ishte anëtari e Komisionit të Koncesionit, Saimir Kadiu, si dhe më pas anëtarët e Komisionit të Tenderit. Procedura për sterilizimin e seteve kirurgjikale është dosja e parë e SPAK edhe është nën hetim prej 3 vitesh.
Kallëzimi u bë nga përfaqësues të Nismës Thurje, të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit. Ata kanë kërkuar hetimin e zyrtarëve duke nisur nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me buxhetin e shtetit.
Por çfarë është kontrata e sterilizimit?
Ajo është një prej katër projekteve të PPP me mbështetje buxhetore në shëndetësi që e ka zanafillën në mandatin e parë qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Kontrata u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Sipas të dhënave të publikuar nga BIRN pak kohë më parë rezulton se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Elektrobisturia është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë (me TVSH) për çdo ndërhyrje.
Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e shtatë të operimit, dhe ka shënuar rritje të ndjeshme të kostove të parashikuara.
Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion./f.stafa
#masat #sigurisë #nga #GJKKO #Çfarë #është #kontrata #sterilizimit #vlerë #milionë #euro