Aktualitet

Mediat gjermane: Lidhjet e Ramës dhe Vuçiç me Donald Trump

Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) thekson se nga lidhjet biznesore me dhëndrin e Donald Trumpit mund të përfitojnë kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Marrëveshjet e Washingtonit, të nënshkruara nga Vuçiqi dhe Avdullah Hoti, FAZ i quan dokumente pa substancë.

Në një analizë mbi efektet që mund të ketë në Ballkan fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se disa politikanë në Ballkan janë gëzuar, “por askush nuk e ka treguar kaq hapur këtë gëzim sa Millorad Dodiku”, i cili është president i Republikës Serbe të Bosnjës.

Politikani më i fuqishëm i popullsisë serbe të Bosnjë-Hercegovinës organizoi madje një festë për nder të ish-presidentit dhe presidentit të ardhshëm amerikan. Duke e tallur ambasadën amerikane në Sarajevë, e cila, sipas tij, nuk dëshironte të organizonte një festë, Dodiku tha se ai e mori vetë përsipër këtë detyrë.

“Gëzimi i Dodikut”, nënvizon FAZ, “është disi befasues, sepse ai është nën sanksione amerikane. (…) Megjithatë, nacionalistët serbë si Dodiku shpresojnë në një mjedis më miqësor nën sundimtarët e ardhshëm në Washington”.

Gazeta gjermane rikujton se Dodiku kishte thënë që në vitin 2023 në një intervistë televizive se një Amerikë e udhëhequr nga Trumpi do të krijonte “një situatë më të mirë gjeopolitike” për Republikën Serbe; ai shprehu keqardhjen që nuk kishte shpallur shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja gjatë mandatit të parë të Trumpit. “Por nëse Trump fiton përsëri, nuk mendoj se do të hezitoja”, shtoi Dodiku.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” shton se mjedisi mund të bëhet më i favorshëm për politikanë si Dodiku nëse Trumpi i jep një rol të rëndësishëm të besuarit të tij, Richard Grenell. Ish-ambasadorin e tij në Gjermani, Trumpi e emëroi në vitin 2019 gjithashtu si “të dërguar të posaçëm për negociatat e paqes midis Kosovës dhe Serbisë”. Duke pritur të arrinte një sukses të shpejtë të politikës së jashtme për shefin e tij para zgjedhjeve në SHBA, Grenell përdori një diplomaci me çekan për të arritur një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës. Fillimisht, ai përdori ndikimin amerikan në Kosovë për të rrëzuar nga posti kryeministrin kosovar Albin Kurti, i cili kishte treguar rezistencë.

Pasardhësi i tij Avdullah Hoti, i mbështetur nga Washingtoni, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan më pas dy dokumente të ndara në Shtëpinë e Bardhë, të cilat Trumpi i prezantoi si një arritje historike, ndonëse ato ishin kryesisht pa substancë.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” sjell në vëmendje faktin se Grenell ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Vuçiqin dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Grenell nuk e ka fshehur faktin se lidhjet që kishte krijuar si përfaqësues i Trumpit, donte t’i shndërronte në përfitime biznesi përmes investimeve në rajon: “Askush nuk duhet të kërkojë falje për dëshirën për të fituar para”, tha Grenell në një intervistë në Shqipëri lidhur me planet e tij në rajon. Edhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka interesa të prekshme biznesi në këtë rajon. Një fond investimi i administruar ose bashkë- administruar nga Kushner, me kapital miliarda dollarë nga Arabia Saudite, po ndjek projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme në Beograd dhe në bregdetin shqiptar të Mesdheut.

Në qendër të kryeqytetit serb, pritet që selia e vjetër e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, e cila ishte rrënuar më 1999 gjatë luftës së NATO-s, të zëvendësohet nga një kompleks i pasurive të paluajtshme. Planifikohet të ndërtohet një hotel luksoz, 1500 apartamente dhe një muze, i cili do të përkujtojë “agresionin e NATO-s kundër Serbisë”, pra do të përmbyste faktet historike dhe do të paraqiste Beogradin si viktimë, shkruan FAZ.

Në Shqipëri priten të ndërtohen komplekse të mëdha turistike. Nëse këto investime do të realizohen, mbetet për t’u parë. Por përfitimet politike që Vuçiq dhe Rama do të kishin nga lidhjet biznesore me të afërmit dhe miqtë e Trumpit janë të qarta. Po aq e qartë është se në Sarajevë dhe Prishtinë kjo do të shihej si një kërcënim. FAZ raporton për një hetim të Komisionit të Financave të Senatit Amerikan, i cili kishte zbuluar se zyrtarë të Shqipërisë dhe Serbisë i ishin afruar vetë fondit të lidhur me Kushnerin, “Affinity Partners”, me propozime investimi.

Kryetari i komisionit, senatori Ron Wyden, një demokrat nga Oregoni, paralajmëroi hetime të mëtejshme. Ai kritikoi veçanërisht planin për ndërtimin e muzeut për “viktimat e agresionit të NATO-s” si një “revizionizëm historik anti-amerikan”. Ai e quajti “krejtësisht të papërshtatshme” që një kompani amerikane të marrë pjesë në një projekt të tillë, pasi kështu do të zbukuronte politikën e atëhershme serbe të spastrimeve etnike dhe gjenocidit. Për më tepër, ai theksoi se ekzistonte rreziku që Serbia dhe Shqipëria të fitonin kontroll të rëndësishëm mbi investimet e familjes së mundshme të presidentit të ardhshëm amerikan, shkruan FAZ.

#Mediat #gjermane #Lidhjet #Ramës #dhe #Vuçiç #Donald #Trump
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button