Tech

Ç’stil jete ka Shkëlzen Berisha?

Në disa media u rilakua këto ditë emri i Shkëlzen Berishës, të birit të një prej figurave më me peshë të postkomunizmit, ende aktiv paçka moshës së shtyrë, ende në kërkim të pushtetit, ende me të njëjtin ligjërim katastrofal dhe me të njëjtin stil primitiv politik.

Për Shkëlzen Berishën po thuhet se pas tij qëndron një kullë e lartë – “Mali i Tiranës” – te ish-gropa e Hajdin Sejdisë, pas Pallatit të Kulturës. A është e vërtetë? Mundet jo, mundet dhe po, aspak për çudi. Aspak për çudi pasi dihet tashmë se ai është i prirur drejt një jete që kërkon shumë para. Fakti që jeton në një vilë të shtrenjtë në një prej lagjeve rezidenciale të Tiranës, në periferinë luksoze të saj, është një prej treguesve.

Shkëlzen Berisha nuk e bën paranë falë ndonjë talenti që publiku ia njeh e që nuk pikëtakohet me politikën; ai bën paranë me biznese, të cilat dhe në qofshin vetëm me djersën e tij të ballit, nuk i shpëtojnë dot paragjykimit, me të drejtë publik, si i favorizuar nga pushteti i të atit. Dhe në një vend a shoqëri si kjo e jona, me krizë të fortë besimi, plot dyshime e paragjykime, kush ka lidhje me pushtetin, drejtpëdrejtë apo tërthorazi, duhet ta privojë veten nga ajo që mund t’i bëhet boomerang. Fjala vjen, Shkëlzen Berisha mund të merrej me biznes, por së paku jetën ta zgjidhte ta kishte më modeste. Dhe te modestia hyn banesa ku jeton. Në Shqipëri, po pate lidhje me politikën, drejtpëdrejt apo tërthorazi, je i dënuar për të qenë modest në stil jete, duke nisur që nga banesa.

Kjo vlen dhe për të atin që e kalon gjysmën e kohës në Lalëz, edhe për fqinjin Meta po aty. Kjo vlen dhe për Ramën me “bunkerin” e tij në Surel. Nuk ia vlen fare nëse i kanë apo jo me “para hallall”; thjesht nuk duhet t’i kenë, duhet t’ja privojnë vetes gjersa kanë apo aspirojnë pushtet. Në Shqipëri kështu duhet, gjetkë ndoshta jo dhe kjo në varësi të konteksteve shoqërore.

Kështu që për rastin e Shkëlzen Berishës, meqë emri i tij është kryefjalë këto ditë, nuk ka nevojë që të investigohet nëse është apo jo pas “Malit të Tiranës”; mjafton që ai pranon se jeton prej vitesh në një vilë në Rolling Hills.  Së këndejmi, i ati ka humbur çdo lloj legjitimiteti politik, aq më tepër që dhe ai është banor në Lalëz. Sikur të kish banuar ende te Rruga Fortuzi, të ajo dy dhoma e kuzhina e dikurshme, edhe mund të dëgjohej. Dhe në fakt aty duhej të jetonte, ai e të ngjashëm me të në tre dekada, qyshse iu futën politikës në vendin ku kriza më e madhe është ajo e besimit. /tesheshi.com/         

#Çstil #jete #Shkëlzen #Berisha

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button