Gushti pa pushime/ Pas kryesisë, Basha zbret në terren për ristrukturimin, në selinë e PD po i përgatitet zyra…!

Dita e dytë si kryetar i PD nuk e gjeti Lulzim Bashën në zyrë. Ai nisi takimet për ristrukturimin e partisë në terren.
Një ditë pasi mblodhi strukturat drejtuese në Tiranë, Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve, Lulzim Basha la zyrën e përkohshme që po i përgatitet në selinë e re të Partisë Demokratike, dhe tashmë që i duhet të mendojë për PD-në e riformatuar, zbriti tek strukturat në takime informale.
Aty Basha pritet të kalojë edhe gushtin e nxehtë, përpara se t’i mbledhë demokratët më 2 shtator sërish në Tiranë, kur edhe do të mbajë Kuvendin Kombëtar.
Me një parti të krasitur nga berishistët, me rikthimin e tij Lulzim Basha duhet të ri-freskojë edhe ekipin drejtues, pasi shumë prej atyre që la pas kur u dorëhoq e braktisën dhe nuk e njohin rikthimin e tij në krye të PD, duke krijuar një front të ri kundërshtarësh, sic është ish krahu i tij i djathtë Gazment Bardhi dhe nënkryetarja Jorida Tabaku.
Sinjalin se po mendon për ekipin “Basha 4”, ai e dha menjëherë pas zyrtarizimit kryetar, duke zgjedhur zëdhënësen e re të Partisë, Mirela Karabinën.
Ndërsa me Sali Berishën, luftën do ta vijojë aty ku e la, në gjykatën e Tiranës, përsa kohë ngërçi është rikthyer në shkallë të parë, dhe nuk është zgjidhur ende përfundimisht.
Nga ana tjetër, Berisha vijon t’i mbajë peng selinë, ku zhvillon aktivitetin e tij politik që prej kohës kur Basha iku nga drejtimi i PD, në marsin e vitit 2022.
Sali Berisha mbledh të martën Kryesinë e tij, ku me gjasë do të diskutohet për të mbledhur një tjetër Kuvend demokratësh në shtator./m.j
#Gushti #pushime #Pas #kryesisë #Basha #zbret #në #terren #për #ristrukturimin #në #selinë #përgatitet #zyra..