Sport

Orsato, arbitri elektriçist, më i vjetri në Itali: “Ibra më tha: tani do të bëj gol…”

Shkollat profesionale dhe ëndrra për t’u bërë elektricist. Pastaj basti për një karrierë si arbitër futbolli. Daniele Orsato me 47 vitet e tij është arbitri më i vjetër në Itali dhe gjithashtu në nivel ndërkombëtar. Ajo që fillon më 19 gusht mund të jetë sezoni i tij i fundit me bilbilin në gojë. Një karrierë që nisi në moshën 16-vjeçare kur një shok e sfidoi të provonte aventurën e arbitrimit. Nga atje nisi ajo që Orsato e përkufizoi si “një përvojë jete” dhe që e rrëfeu për Corriere del Veneto.

“Isha i bindur se Kupa e Botës në Katar ishte përvoja ime e fundit në fushë – tregoi Orsato -. E ndërkohë… jam krenar që Shoqata ime, UEFA dhe FIFA më shtynë të vazhdoj. Më kanë thënë se jam një pikë referimi për të rinjtë për t’i bërë të kuptojnë se duhen sakrifica për të arritur majat. Nuk e di se kur përfundon karriera ime, por jam gati për atë moment”.

Orsato foli edhe për mënyrën sesi futbolli ka ndryshuar vitet e fundit. “Unë e fillova me flamujt e linjave prej druri – kujton ai – dhe tani kemi ato elektronike, kufjet dhe Var. Idhulli im ishte Agnolin. Sot, kapja e Maradonës nga fanella ose lojtarëve nga krahët si bënte ai nuk lejohet më. Por ai dinte si ta respektonin në fushë”.


GABIMI MË I MADH NË KARRIERË

Një arbitër në fushë nuk duhet të tregojë emocione dhe të garantojë paanshmëri. Por edhe një arbitr ka lojtarin e tij të preferuar dhe ai i Orsato ishte Cristian Maggio. “E njoh prej shumë vitesh, ai ka ndjekur të njëjtën shkollë me mua. Ai është simboli i respektit dhe edukimit. Gjithmonë e kam vlerësuar Javier Zanetti. Një kampion që nuk i interesojnë kurrë gabimet e arbitrimit sepse ishte i vetëdijshëm se i përkisnin lojës”. 47-vjeçari nga Recoaro Terme ka dashur të kujtojë edhe gabimin e tij më të madh. “Në ndeshjen time të tretë në Serie A, Sampdoria-Atalanta, dhashë një goditje dënimi instinktive. Pas një krosimi, topi përfundoi në stomak dhe jo në krahun e një lojtari bergamask, por fillimisht pashë të kundërtën. Ai më tregoi shenjën e topit, por një gjyqtar duhet të mbrojë vendimet e tij dhe unë mbrojta timin, edhe pse ishte gabim”.

Lexo më tej: Portugalia kishte të drejtë, Kroacia akuzon Orsato: “Një nga arbitrat më të dobët, penallti inekzistente”

PARASHIKIMI I IBRAHIMOVIC

Lojtari që i bëri më shumë përshtypje arbitrit Orsato në karrierën e tij 30-vjeçare ishte Zlatan Ibrahimovic. “Kur e shikoja në fushë, humbisja përqendrimin – pranoi arbitri nga Vicenza –. Gjatë një ndeshje Lazio-Inter në vitin 2009, gjatë një kundërsulmi, ai ngriti këmbën në qiell, duke e goditur topin me thembër. Me atë lëvizje, ai kaloi dy mbrojtësit e fundit, gjuajti në portë dhe shënoi. Unë mbeta i shtangur. Në një Inter-Fiorentina, pasi i akordova një goditje dënimi më tha: ‘Shiko çfarë goli do bëj tani’. Vendosi topin dhe goditi fort drejt e në rrjetë. Pastaj u kthye e më tha duke qeshur: ‘e pe çfarë bëra?’ Unë mbeta pa fjalë”. Pas 274 ndeshjeve mes Serie A, Champions League, Kupave Evropiane dhe Botërore dhe pas krijimit të një playliste të preferuar për t’a dëgjuar para fillimit të ndeshjeve, tani është koha për të menduar për të ardhmen: “Jam gati të bëhem trajner i arbitrave dhe të përdor gjithçka që kam mësuar”.

#Orsato #arbitri #elektriçist #më #vjetri #në #Itali #Ibra #më #tha #tani #të #bëj #gol..

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button