“Po luftojmë, na mbështesni”, Berisha me PPE në Strasburg, ‘e nxin’ Shqipërinë si diktaturë

Një diktaturë ku liderët e opozitës arrestohen, është panorama e Shqipërisë që ekspozoi Sali Berisha në takimin e me grupin e Partive Popullore Evropiane në Strasburg. I ftuar në mbledhjen e grupit të PPE, Berisha njoftoi miqtë e tij evropianë për arrestimet e liderëve dhe eksponentëve të opozitës, ku siç tha të gjitha veprimet ligjore kundër tyre janë të motivuara politikisht. Sipas tij represioni ligjor nuk prek vetëm liderët e opozitës, por edhe qytetarët.
“Nëse shikoni Shqipërinë, është një vend ku nuk ekziston më prezumimi i pafajësisë. 67 për qind e të arrestuarve janë në paraburgim. Vetëm i arrestojnë dhe i plasin në burg. Kjo është e vërteta në këtë vend. Torturat janë të zakonshme, vdekjet ën burgjet shqiptare janë të zakonshme. Zonja dhe zotërinj, Shqipëria po del si një shtet me kartele droge dhe krim të organizuar”, tha Berisha.
Berisha informoi eurodeputetët e PPE edhe për ato që i quan shkelje të Kodit Zgjedhor nga kryeministri Edi Rama, por premtoi se demokratët do të luftojnë, ndaj kërkoi dhe ndihmën ndërkombëtare për të përmbysur pushtetin.
“Gjatë këtyre javëve, kryeministri vetë do japë 100 euro për çdo pensionist si dhuratë për votën. Krahas kësaj është kanabisi për votën, ai ka shpërndarë 148 licenca për të mbjellë kanabis në mbarë vendin. Ai nuk respekton asnjë ligj të Kodit Elektoral. Këto janë, kjo është panorama e Shqipërisë, situata ku jemi. Tani, cilat janë opsionet tona? Ne duhet të luftojmë, të luftojmë, të luftojmë. Në një diktaturë, nuk ke asnjë opsion tjetër. Por çfarëdo ndihme që mund të japë ky institucion, ne jemi shumë mirënjohës”, shtoi Berisha.
Kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu, nënvizoi rëndësinë që vëmendja e partnerëve ndërkombëtare të mos mungojë ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
“PPE rreth 2 muaj më pare prezantoi një rezolute mbi situatën në Shqipëri, korrupsionin, blerjen e votës, intimidimin e zgjedhësve dhe ju jeni i njëjti grup. Vlerësojmë që keni të njëjtin qëndrim si grup (parlamentar) i PPE-së. Gjithashtu IDU në konventën e Uashingtonin prezantoi shqetësimet mbi situatën në Shqipëri. Pra të gjitha komunitetet ndërkombëtare. Tani kemi edhe Kongresin amerikan që po shikon nga afër se cfarë po ndodh në Shqipëri. Prezenca juaj gjatë zgjedhjeve por edhe qëndrimi dhe deklaratat tuaja do të na ndihmojnë që kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Pa zgjedhje të lira e të ndershme nuk mund të kemi demokraci në Shqipëri”, tha Fatmir Mediu.
Premtimi i tij për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, duket se u përqafuar nga evropianët, ku drejtuesi i grupit të Partive Popullore Europiane në Strasburg, Pablo Hispan, garantoi mbështetjen e organizatës më të madhe politike të Europës.
“Siç e dini, ju keni mbështetjen tonë më të madhe dhe grupi ju uron suksese, me bindjen se do të fitoni në zgjedhjet e ardhshme. Ne do sjellim një delegacion të madh nga Partitë Popullore Europiane, që të mbikëqyrim zgjedhjet, për të mbështetur demokracinë dhe transparencën për popullin shqiptar”, tha kreu i grupit të PPE, Hispan.
Kreu i opozitës shqiptare zhvilloi edhe takime të tjera gjatë qëndrimit në Strasburg, gjatë të cilave ka informuar partnerët për realitetin shqiptar dhe ka kërkuar mbështetjen e tyre për sfidën e 11 majit.
#luftojmë #mbështesni #Berisha #PPE #në #Strasburg #nxin #Shqipërinë #diktaturë
Java News