“IT kapi lëvizje në e-mailin e Millonait”, gazetari: Hakerat tentuan të hynin te e-maili i Dumanit

Në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, gazetari i kronikës Poli Hoxha zbardhi detaje për mënyrën sesi u zbulua nga ekspertët e IT në Prokurorinë e Posaçme, sulmi kibernetik ndaj kësaj strukture.
Hoxha tha se indicia për një hakerim të mundshëm të dhënash, nisi pasi u konstatua një ndërhyrje nga jashtë në e-mailin e prokurores Enkeleda Millonai, në kohën kur kjo e fundit ishte pushim.
“Eksperti, ndoshta janë disa që punojnë atje, ka kapur lëvizje në e-mailin e prokurores Millonai. Është pyetur zonja Millonai dhe ajo ka qenë në fakt jo në punë, ka qenë për punë personale a e sëmurë. Dhe thotë: Unë nuk e kam hapur fare e-mailin, nuk e kam ngacmuar”, zbuloi Poli Hoxha në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Më pas ai shtoi se ky zbulim ngriti alarmin dhe kreu i SPAK, Altin Dumani pas një mbledhje të jashtëzakonshme me stafin e prokurorëve të posaçëm, vendosi edhe nisjen e hetimit që deri më tani ka çuar pas hekurave Zambak Gjonin dhe Arnold Rrokajn.
“Aty njoftohet shefi i strukturës, zoti Dumani. Bëhet një mbledhje e jashtëzakonshme dhe bëhet kontrolli dhe rezulton se janë futur dhe në dy prokurorë të tjerë. Nga verifikimet është tentuar edhe te e-maili i zotit Dumani. Bllokohet situata, fillon hetimi, dhe ndodhën edhe ato arrestime. Vazhdon një hetim i thelluar. Jo se është e vështirë se dy të arrestuar i kanë, por është një hetim që kërkon edhe më shumë ekspertizë të kibernetikës. I kanë ata aty ekspertë të kibernetikës edhe izraelitë, edhe amerikanë”, zbuloi më tej gazetari në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Në përfundim, Poli Hoxha tha se nga burime të tijat e ka të konfirmuar se hakerat kërkonin të krijonin një portë të përhershme për të vjedhur të dhëna nga dosjet hetimore të SPAK.
“Deri më tani dyshohet, këtë e them me burime të miat, që përveç ndërhyrjes nga jashtë, synohej të krijohej një portë, kush e-mail të kapej si fillim dhe synohej të krijohej një portë e përhershme, e maskuar atje brenda që pastaj të kishin akses dhe ti hapnin në orë të caktuara për të mos u zbuluar”, rrëfeu gazetari në “Off the Record” nga Andrea Danglli.
#kapi #lëvizje #në #emailin #Millonait #gazetari #Hakerat #tentuan #të #hynin #emaili #Dumanit
Java News