Tech

Dialogu Kosovë-Serbi/ Përfundojnë takimet në Bruksel, ende nuk dihen rezultatet

Në Bruksel kanë përfunduar takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve. Ende nuk ka prononcime për rezultatin e bisedimeve gjatë këtyre takimeve.

Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian kishin thënë se synim ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një takim trilateral nuk ka ndodhur.

Takimet kanë nisur pas orës 9:30 të mëngjesit. Fillimisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka pasur takim me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviç, që ka zgjatur deri pas orës 12:00.

Pastaj ka nisur takimi me delegacionin e Kosovës. As nga delegacionet e Kosovës, e as nga BE-ja, nuk janë dhënë informacione rreth rrjedhës së takimeve. Ndërkohë, në Bruksel po qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili do të zhvillojë takim me Lajçakun.

Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçaku do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve.

I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.

Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim që Lajçak dhe Bislimi kanë zhvilluar javën e kaluar në Bratisllavë.

Prishtina zyrtare thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat është rënë dakord, ndërsa Beogradi zyrtar nuk e ka thënë qartë nëse ky pajtim për shtensionim është i pranueshëm për të.

Deri më tash ka ndodhur shpesh që në takimet e dialogut të ketë vetëm takime dypalëshe mes përfaqësuesve të BE-së dhe delegacionit të Kosovës, përkatësisht Serbisë.

Kështu ka ndodhur edhe në qershor kur në Bruksel ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata patën takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, por jo edhe mes vete.

Ka qenë presidenti i Serbisë, Vuçiq, ai që ka refuzuar të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Kurti. Ka pasur raste kur edhe kryenegociatorët kanë refuzuar të ulen në takime të përbashkëta. Në situata të tilla, lehtësuesit nga ana e BE-së diskutojnë herë me njërën, e pastaj me tjetrën palë, në përpjekje për t’i afruar qëndrimet.

Tensionet në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet./REL

/f.stafa

#Dialogu #KosovëSerbi #Përfundojnë #takimet #në #Bruksel #ende #nuk #dihen #rezultatet

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button