Luçiano Boçi rrëfen skemën që po përdor opozita: Ja si do e rikthejmë Shkodrën djathtas në 11 maj

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës, Luçiano Boçi u shpreh me bindje se në zgjedhjet e 11 majit do të marrin kryeqendrën e veriut.
Në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të orës 19:00 në Televizionin Kombëtar Vizion Plus të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Boçi tha se PD-ja synon të marrë mbi gjashtë mandate në Shkodër.
Luçiano Boçi renditi arsyet pse qytetarët duhet të votojnë PD-në, teksa nënvizoi se ky koalicion hyn me program, me zgjidhje problemesh dhe kjo bën diferencën.
Intervistë e plotë:
Cila është atmosfera në kampin opozitar në Shkodër?
Boçi: Atmosferë pune. Angazhim, kontakte me qytetarët. Prezantim dhe lancim i programit, bashkuar në një qëllim vetëm fitoren drejt 11 majit.
Çfarë objektivi keni në Shkodër?
Boçi: Në kushtet e reja, në mënyrën e pritshmërisë, në mënyrën se si jemi paraqitur ne si forcë politike dhe si ka ardhur ajo forcë e dominantes dhe rotacionit politik, kërkesat për ndryshim, na çojnë ne drejt një ndryshimi optimist krahasuar me 2021. Synojmë të marrim sa më shumë mandate, duke kaluar edhe mandatin e gjashtë. Do japim mesazhe të qarta tek qytetarët. Ne mendojmë që ky koalicion të bëjë diferencën dhe ne t’i kthejmë Shkodrës atë pamjen që gjithmonë ka pasur si bastion i së djathtës dhe si lokomotivë e Partisë Demokratike dhe vlerave.
LSI në 2021 ka fituar rreth 9% të votave dhe ka marrë një mandat. Ndërkohë që faktori Çela në Shkodër nuk është më në opozitë, është bashkuar në PS, qeveria ka ndërmarrë investime aty. Si ndikojnë rrethanat në ekuacion?
Boçi: Vërtet dikush mund të ketë bërë kapërcimin e ylberit, të ketë ndryshuar parti, për shkak të interesave, por kjo nuk do të thotë që merr me vete gjithë vagonat e votave. Aq më tepër që nuk kandidojnë vetë, kanë pjesëtarët e vet, respekt është çdo angazhim i ri politik, por kjo nuk do të thotë që do të ketë pasoja pozitive për Partinë Socialiste. LSI nuk e ka atë forcën sepse dihet që lideri i saj është i burgosur. Partia Demokratike ka qytetarë të devotshëm, emrat e vet, por mbi të gjitha PD hyn me program, me zgjidhje problemesh, ato kërkesa që qytetarët i kanë pasur dhe i kanë. Kjo bën diferencën.
#Luçiano #Boçi #rrëfen #skemën #që #përdor #opozita #rikthejmë #Shkodrën #djathtas #në #maj
Java News