Rasti i Thoma Gëllçit, jo vetëm si ilustrim… –

Nga Luan Rama
Edhe pse jo në mënyrën e duhur, pra, pa e vendosur të gjithë ngjarjen në përmasën reale të së vërtetës e për të evidentuar me transparencë përgjegjësinë në rastin e burgosjes së padrejtë të Thoma Gëllçit, Kryeministri e përmendi faktin se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i dha të drejtë ish Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, për të ilistruar në këtë rast pretendimin e tij se po shkelen standardet me arrestimet në burg pa vendim gjykate, dhe jo për të kërkuar ndjesë më e pakta, e mandej edhe për të reflektuar për çfarë maxhoranca ka bërë gabim në korpusin e ligjeve që ka hartuar dhe miratuar, mbi të cilat janë organizuar dhe veprojnë institucionet e drejtësisë.
E ashtuquajtura “Drejtësi e Re” lindi prej një deformimi kushtetues, e paçka se maxhoranca, e më shumë se ajo vetë Kryeministri mburret me autorësinë mbi të, “Drejtësia e Re” vazhdon të mbështetet mbi deformimin kushtetues prej nga lindi.
E keqja e sistemi nuk qëndron vetëm tek SPAK-u apo mënyra se si një prokuror a një tjetër i koncepton fjala vjen masat e sigurisë në funksion të hetimit penal, por tek ligjet mbi të cilat mbështetet veprimtaria e tyre.
Ligjet i ka bërë Kuvendi, imponuar prej fuqisë e arbitraritetit të maxhorancës.
Nëse Vendimi i Gjykatës së Strasburgut thotë se Thoma Gëllçi “u mbajt në paraburgim pa prova të mjaftueshme”, përgjgjësia për këtë më shumë se sa mbi SPAK-un, bie mbi gjykatën që i ka legjitimuar veprimet e SPAK-ut.
SPAK-u është organ i akuzës, ai nuk jep as nuk bën drejtësi. Drejtësinë duhet ta japë gjykata. Por, çfarë ka bërë gjykata në rastin e Thoma Gëllçit? A ka qenë ajo e drejtë me të?
Sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut jo. Atëherë përse nuk i shkohet të vërtetës deri në fund?
Kryeministri me siguri e di që Avokatura e Shtetit është institucion nën varësinë e tij. Sepse Avokati i Shtetit emërohet nga qeveria me propozimin e Kryeministrit.
Mirëpo, a bëri qeveria apo edhe vetë Kryeministri ndonjë analizë të qëndrimit të Avokatit të Shtetit mbi gjithë ecurinë e procesit kundër Thoma Gëllçit? Me siguri jo, se po të ishte bërë, Kryeministri nuk do të përpiqej ta justifikonte siç bëri në fakt pa ia dalë ta justifikojë, teksa po i përgjigjej publikisht avokatit të zotit Gëllçi nga mbledhja e grupit të deputetëve socialistë, të cilët ishin thirrë të dëgjonin Rektorin e Universitetet Bujqësor të Tiranës, për disa arrestime e masa të tjera sigurie, ndaj disa punonjësve të këtij universiteti.
Vetë zoti Gëllçi dhe avokati i tij e kanë thënë që në momentin e parë se është arrestuar padrejtësisht. Ata e kanë denoncuar në rrugë ligjore, por edhe publikisht arbitraritetin e arrestimit. Por nuk i dëgjoi askush.
GJKKO-ja e mbajti në arrest në burg.
Sot bëjmë mirë që i referohemi Vendimit të Gjykatës së Strasburgut, meritën për të cilin në fakt e ka vetë zoti Gëllçi dhe avokati i tij që këmbëngulën deri në fund me bindjen se qe arrestuar padrejtësisht, por kush e “paguan” burgosjen e padrejtë? Kush mban përgjegjësi? Më e pakta, kush duhet të kërkojë ndjesë publikisht?
Shteti që duhej t’ia mbronte lirinë e mohuar Thoma Gëllçit, edhe në Gjykatën e Strasburgut siç dëshmon avokati i zotit Gëllçi, përmes Avokatit të Shtetit këmbënguli për të kundërtën!
Fatkeqësisht, nga mënyra e reagimit, askush nuk po e kupton mesazhin që vjen prej vendimit të Gjykatës të Strasburgut që është Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Rasti i Thoma Gëllçit nuk mund të përdoret për ilustrim. Ai na vjen si një këmbanë e madhe alarmi për të reflektuar dhe për të ndërhyrë me ligj dhe jo me retorikë, në gjithë kurpusin ligjor mbi të cilin është organizuar dhe funksionon sistemi i “Drejtësisë së Re”. Pa e bërë këtë, rasti i Thoma Gëllçit do të harrohet e të tjerë si ai, do të duhet që drejtësinë e munguar në Shqipëri të shkojnë e ta kërkojnë në Strasburg.
#Rasti #Thoma #Gëllçit #vetëm #ilustrim
Java News