Nëse do isha kundër SPAK, ‘bufi i kënetës’ do vinte me një fërshëllimë për ta shkrirë –

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjeve të ndjekësve në rubrikën e tij “Sy m’sy” në Facebook, që kanë të bëjnë me SPAK-un.
Kreu i qeverisë tha se ka ende problematikë me korrupsionin në institucionin e Hipotekës dhe dixhitalizimi i plotë i sistemit do çonte në zhdukjen e këtij fenomeni, për të cilin Bashkimi Europian ka lënë si afat në pikë negociatash vitin 2028, shkruan A2.
Kurse për SPAK Rama përsëriti mbështetjen e tij nëse institucioni do tregohet i pavaruar politikisht, teksa theksoi se SPAK u ngrit dhe mbështet nga PS dhe jo nga “këneta” opozitare, pasi tashmë edhe SHBA është larguar nga mbështetja për Prokurorinë e Posaçme.
Rama tha se “me një fërshëllimë bufi i kënetës do vinte menjëherë për ta shkrirë SPAK nëse ai do donte shkrirjen e SPAK”.
Në lidhje me korrupsionin, kryeministri theksoi se “sot ministritë nuk bëjnë më tendera, ministrat nuk janë më të lidhur me procese tenderimi, sepse janë të gjitha të kaluara në struktura të tjera dhe ka një strukturë të posaçme që bëjnë tenderat e përqendruar”.
“Ku është tjetër korrupsioni? Te kontaktet, te pjesa e ndërveprimit, qytetarit që kërkon një shërbim, që ta jep apo s’ta jep shërbimin. Ka qenë më parë, para se të vinim në detyrë dhe transformonim tërësisht sistemin me e-Albanian, ku rregullisht dhe brutalisht paguhej një bakshish i vogël. Sot 47 milionë kontakte kanë impakt të jashtëzakonshëm në psikologji për radhën, kosto për lëvizjen, trafikun etj. Tani kanë ndodhur online këto kontakte. Nuk e kanë të gjitha vendet e BE-së këtë, edhe në kontinentet e tjera mund të marrësh shërbim në platformën e-Albania. Këto janë dy shtyllat kryesore. Vijmë te lejet e ndërtimit, ato janë online tani dhe ndryshe nga çfarë ishin më parë kur isha kryebashkiak dhe kur mora detyrën. Dhe e fundit, jemi patjetër borxhli, qoftë në aspektin e legalizimit dhe titujve të pronësisë, kemi deficite për faktin se akoma nuk ka mbaruar procesi i hartimit dixhital të pronësisë, titujve të pronësisë, kemi ndryshime pasi nuk ka më radhë të Hipoteka, shërbimi merret online dhe me postë, por cikli ende nuk është mbyllur. Ka korrupsion ende, kjo nuk diskutohet, edhe BE e ka konstatuar këtë fakt dhe e ka vënë një nga kushtet e negociatave që të mbarojë hartëzimi i dixhitalizimit të pronave, e për këtë është lënë afat 2028 si një kohë e ndërmjetme, kur negociatat konsiderohen të përfunduara teknikisht, ku çështja i kalon KE-së dhe më pas te Bashkimi Europian. Kjo është një nga pikat, ku qytetarët kanë të drejtë të ankohen, ku në fakt është bërë transformim i madh në dhënien e titujve të pronësisë, edhe te legalizimet ku kemi arritur çerek milioni legalizime, kur në kohën që e morën ishin disa mijëra. Kemi ende për të bërë të tjera, jemi në proces. Modernizimi i sistemit bën që korrupsioni të tkurret dhe të nxirret jashtë. Për certifikatat paguhej dikur, kurse tani sistemi e nxjerr vetë, e jo vetëm për certifikatat, por për 95 përqind të shërbimeve”, deklaroi Rama.
Kryeministri reagoi edhe ndaj një komenti mbi bukën: “Ja, s’kanë bukë që të hanë thotë! Aman! Aman, o burrë, aman… Ashtu siç e thonë edhe raportet ndërkombëtare dhe të SHBA. Shqipëria nuk konsiderohet më vend i asaj kategorie që hyn në ato programe (të urisë, i nënzhvilluar), hyn te vëndet në zhvillim, për të qenë më i saktë, jo i nënzhvilluar, që do të thotë se nuk flasim më për bukë, por për nivel tjetër të jetesës. Se më ndërpreve me këtë bukën edhe në mes, nuk vuajnë njerëzit për bukë tani, madje as në kohën e Skënderbeut nuk ndodhnin këto, madje edhe në luftën italo-greke grekët erdhën këtu për të ngrënë bukë”.
#Nëse #isha #kundër #SPAK #bufi #kënetës #vinte #një #fërshëllimë #për #shkrirë
Java News