I vetmi vend në Europë që kemi 0 buxhet nga shteti –

Armand Duka ishte i ftuar në një intervistë me Gerti Çarçanin në emisionin “Skaner”, i cili transmetohet në “MCN TV”. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka prekur shumë çështje gjatë intervistës, duke folur gjerë e gjatë rreth problematikave të futbollit shqiptar. Një nga temat e diskutuara ishte edhe ligji i sponsorizimit. Megjithëse prej kërkohet prej kohës nga sporti, qeveria ende nuk e ka mbajtur premtimin e saj. Duka ka deklaruar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka zero buxhet nga shteti për sportin. Ai thekson se të ardhurat që do të shpenzohen për sportin nga arka e shtetit janë më të ulta se ndërtimi i 1 kilometri rrugë.
“Klubet kanë vështirësi dhe mund të sjellë mërzi, largime. Ne e kemi argumentuar që ligji i sponsorizimeve është një domosdoshmëri dhe një e drejtë që i takon futbollit. Ligji i sponsorizimit nuk është thjesht një donacion. Mund të zgjedhë qeveria që të krijojë një buxhet për sportin, gjë që ne jemi i vetmi vend që nuk e kemi. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona dhe kemi pasur premtime nga qeveria, qoftë edhe nga kryeministri direkt. Edhe pas mbrëmjes gala diskutuam me të dhe tha që këtë vit do të bëhet patjetër. Madje tha që nuk quhet as sponsorizim, por një fond i domosdoshëm për sportin. Dashamirës kanë qenë të gjithë ministrat, por në letër nuk ka asgjë.
Cfarë grope do të krijojë në buxhet. Futbolli është një sport që jo thjesht vijnë disa spektatorë në stadium, por edukon fëmijët. Nëse ky buxhet përdoret për të ardhmen e fëmijëve, për të edukuar fëmijët qoftë sportivisht, apo qoftë mendërisht, kjo nuk quhet gropë. Nëse do të flasim se sa do të jenë këto shifra nga ligji i sponsorizimit, se sa nga taksat do të shkojnë për futboll, do të jenë më pak se 1 kilometër rrugë. Sporti nuk është diçka për t’u anashkaluar. Uroj që të ndodhë këtë vit.
Sporti dhe futbolli në veçanti është e vështirë që të mbajë veten në çdo hapësirë gjeografike të Shqipërisë. Sepse njerëzit mendojnë vetëm për Tiranën apo Partizanin. Por në Shqipëri luajnë futboll 26 mijë individë. Ky buxhet nuk është një gropë, për një investim që të kthehet shpejt. Më shpejt se sa 3 vjet, siç nuk mund të kthehet në biznese të tjera. Klubet profesioniste janë pothuajse 100% formale. Pothuajse nuk gjen asnjë njeri të paguar në të zezë në klubet shqiptare. Formaliteti është më i lartë se në çdo biznes të Shqipërisë. Këtë e them me bindje. Besoj se jemi i vetmi vend në Europë që kemi 0 buxhet nga shteti”, ka deklaruar Armand Duka./Sport Ekspres/
#vetmi #vend #në #Europë #që #kemi #buxhet #nga #shteti
SportExpress