Mbledhja e dy qeverive, Tahiri: Sanksionet e BE-së kanë izoluar Kosovën, vendi po përballet me bllokim diplomatik

Abelard Tahiri i PDK-së, ka kritikuar ashpër situatën e jashtme të Kosovës, duke theksuar se vendosja e sanksioneve nga Bashkimi Evropian ka çuar në një izolim të thellë diplomatik të vendit, raporton .
Në një postim në rrjetet sociale, Tahiri tha se që nga 28 qershori 2023, kur BE vendosi “masat” kundër Kosovës, është reduktuar ndjeshëm angazhimi i Bashkimit Evropian në vend, duke përfshirë edhe pezullimin e mundësive për të shfrytëzuar fondet e para-anëtarësimit.
“Që nga ajo kohë, të vetmet mjete të BE-së që shpenzohen në Kosovë janë pagat për stafin e tyre, ndërsa angazhimet e tjera janë në ‘standby’. Pamundësia për të shfrytëzuar fondet e para-anëtarësimit të BE-së si masë, është shoqëruar paralelisht me një masë edhe më të rëndë: mospërfshirjen e Kosovës si aktor dhe faktor në zhvillimet e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare,” shkruan Tahiri.
Tahiri gjithashtu ka theksuar se një ngjarje e rëndësishme e Kosovës në politikën e jashtme, siç është mbledhja e përbashkët e dy qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është një shenjë se situata diplomatike e Kosovës ka mbetur e bllokuar.
“Sot pritet të zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është ngjarja më e madhe e Kosovës në rrafshin e jashtëm që nga vendosja e sanksioneve,” tha Tahiri, duke shtuar se, pavarësisht se kjo ngjarje është e mirëseardhur, fakti që Kosova mund të angazhohet vetëm me një shtet fqinj është një tregues i izolimit në të cilin ndodhet vendi.
#Mbledhja #qeverive #Tahiri #Sanksionet #BEsë #kanë #izoluar #Kosovën #vendi #përballet #bllokim #diplomatik
gazetablic.com