Ligji për shkencën nuk do të pezullohet, Ministria: Do rishikohen nenet e kontestuara
Projektligji i shumëkontestuar për shkencën nuk do të kthehet mbrapsht dhe as do të pezullohet shqyrtimi i tij nga Kuvendi.
Pavarësisht kundërshtive të forta nga rektorët e universiteteve publike dhe private, shumica qeverisëse do të vijojë konsultimet, teksa drafti po diskutohet në Komisionin e Edukimit.
Drejtues të Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor thonë se projektligjit do t’i jepet kohë për të reflektuar disa nga rekomandimet dhe vërejtjet e grupeve të interesit.
Mirela Muça, drejtoresha e AKKSHI-t, tregon disa nga ndryshimet kryesore që do të bëhen në nenet më të kontestuara nga rektorët. Pika për vlerësimin e kërkimit shkencor nga Akademia e Shkencave do të rishikohet, e po ashtu edhe përbërja e Këshillit Kombëtar të Shkencës, duke rritur pjesëmarrjen e universiteteve në këtë organ, shkruan A2.
Por roli i ri i kryeministrit, edhe si kryetar i shkencës në vend, do të mbetet i pandryshueshëm pavarësisht kundërshtive të stafit akademik. Prej gati një jave, konferenca e rektorëve, profesorë dhe akademikë kanë argumentuar se thuajse çdo nen i draftit bie ndesh me kushtetutën dhe me ligjin e arsimit të lartë.
Në A2 CNN, akademiku Artan Fuga tha se ligji i ri për shkencën bie ndesh edhe me standardet e Bashkimit Europian. Drejtues të Agjencisë së Kërkimit Shkencor thonë se drafti për shkencën është huazuar nga modelet e ligjeve sllovene, kroate dhe ai i Kosovës. Ndërsa rektorët dhe stafet akademike vijojnë ta kundërshtojnë fort si një nismë që, sipas tyre, synon ndarjen e kërkimit shkencor nga universiteti, për të fuqizuar Akademinë e Shkencave, ashtu si në periudhën e komunizmit.
#Ligji #për #shkencën #nuk #të #pezullohet #Ministria #rishikohen #nenet #kontestuara
Java News