Pas vizitës në Tiranë, presidenti Erdogan do të niset drejt Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të presë presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili më 10 dhe 11 tetor do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi.
Detajet e vizitës nuk janë publikuar, ndërsa bashkëbiseduesit e Danas besojnë se temë kryesore e bisedës do të jenë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, ku kohëve të fundit është derdhur shumë vrer, kështu që pa hezitim mund të thuhet se marrëdhëniet mes dy fqinjëve janë të këqija.
Natyrisht, dy presidentët, të cilët kanë shumë ngjashmëri, do të diskutojnë edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për projektet e përbashkëta në vazhdim.
Siç është raportuar më herët nga mediat e Prishtinës, Erdogan para se të mbërrijë në Beograd do të vizitojë Shqipërinë.
Krahas takimit me kreun e shtetit në Tiranë, Erdogan duhet të hapë Xhaminë e Namazgjasë, apo Xhaminë e Madhe në kryeqytetin e Shqipërisë.
Ish-ambasadori dhe nënkryetari i Qendrës së Serbisë, Mihajlo Brkiç, beson se biseda mes dy presidentëve sigurisht që do t’i referohet marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në lidhje me temat ekonomike dhe investimet dhe projektet e tjera të përbashkëta në vazhdim.
“Meqenëse Erdogan po vjen për një vizitë dyditore sipas njoftimeve, kjo flet për rëndësinë e bashkëpunimit bilateral serbo-turk për të dyja palët. Në mënyrë të pashmangshme, temë e bisedës do të jetë gjendja e përgjithshme në rajonin tonë, si në atë politike dhe ekonomike ashtu edhe në atë të sigurisë. Në këtë kontekst, është tregues se Erdogan nuk do të vizitojë Bosnjën dhe Hercegovinën, gjë që mund të tregojë kontradiktat e thella dhe të thelluara që ekzistojnë në atë shtet të rajonit tonë”, thotë Brkiç.
#Pas #vizitës #në #Tiranë #presidenti #Erdogan #të #niset #drejt #Serbisë
gazetablic.com