Aktualitet

Në “Kazermën” e Ramës apo në “Burgun” e Primarit Sali

Nga Bajram Peçi

Kazerma, si shembull, erdhi para pak ditësh prej gazetarit dhe analistit të njohur, Preç Zogaj. Shqetësimi i tij, që vishej me gjetjen “Kazermë”, buronte nga druajtja se demokracia, që e ka parim rotacionin politik, po dëmtohet; se ajo e ka domosdoshmëri ndërrimin e kohë pas kohëshme të vëndeve në pushtet, ndërsa kjo “Kazerma” e Ramës, me gjasa, po e pengon rotacionin!

“Kazerma” e Ramës presupozon Partinë Socialiste si një strukturë politike, ku je i vënë në rresht, siç detyrimisht ndodh në një repart ushtarak, ku ska hapësirë për mendim e zgjedhje jashtë rregullit. Flet komandanti i “kazermës”, në rastin tonë, Edi Rama, dhe të tjerët duhet të heshtin. Në “Kazemë” ka bindje e rreshtim, e me raste, ka edhe liri-dalje prej komandës.

Rotacioni politik i partive në pushtet, sa mirë do ishte! Demokracia do funksiononte në përsosmëri, pas zgjedhjeve partitë ndërrojnë vëndet, opozita vjen në qeverisje, kryetarët e partive fituese dhe humbëse pranojnë rezultatet dhe urojnë sho-shoqin për fitoren…! Ngjan se mund të ndodhë kështu, duke i parë partitë jo ashtu si janë në të vërtetë, por ashtu si i do ai që vë alarmin, pse nuk po ndodh rotacioni, pra, PD e Berishës të zëvendësojë PS e Ramës, të cilit zyra e kryeministrit i duket si zyra e tij personale!?

Është e lehtë të flasësh për opozitën. Fol për Sali Berishën dhe kaq mjafton! Sa më shumë mbani vështrimin tek opozita, (dmth, te Saliu) aq më tepër bindeni se ata nuk do të mund të vijnë kurrë në pushtet; aq më qartë shihni se ata (opozita) përbëjnë përpos se një klan, anëtarëve të së cilës primari Sali u ka ndërtuar një “burg”. Në burg nuk ka liri-dalje, por ka detyrime për të mbrojtur nderin e humbur të të parit të fisit.
Në hapësirën mendore që Saliu u ka lejuar të “burgosurve” të tij është veçse “Free Berisha”. Një i burgosur, qytetar nderi i qelisë, u ka porositur nga fitimet e tij, bluza të burgosurve të tjerë me këtë thirrje. Ata i veshin bluzat me kënaqësi sepse ndodhen aty me dëshirë dhe janë pajtuar me mungesën e lirisë për shumë shkaqe, ku ndër më kryesoret është mbrojtja e pasurive që vunë nën hijen e shërbimit për Primarin. Përveç kësaj, anëtarë të “Free Berisha”, ish ministra, deputetë, ish shefa e drejtues të institucioneve ku lëvizte paraja, ka kohë që ndjehen të kërcënuar e në rrezik nga hetimi pasuror.

Gojtaria përpara prokurorisë SPAK, që Berisha përdori si “Deklaratë për mediat”, do mirëkuptohej nëse do t’u thuash gazetarëve vetëm atë që lidhet me çështjen për të cilën je i pandehur dhe vetëm kaq! Po u the se “…ju jeni prokurori private e Ramës”, gojtaria shndërrohet në karshillëk ndaj institucioneve kushtetuese, për t’u thënë se, “unë nuk pyes për ju”, gjë që e ke bërë vërtet gjatë 30 vjetëve, duke nëpërkëmbur kë ke dashur! Fyerjet për SPAK nuk të ndihmojnë dot të shpjegosh se pse fëmijët e tu, që s’u tha kush “Punë e mbarë”, janë super të pasur?! Bërtet e shan para dyerve të drejtësisë nga që ske argument, por kjo nuk do të thotë aspak se Prokuroria duhet të heshtë edhe kur e shajnë. Prokurori, mos hesht kur flasin keq për ju, e keni detyrim të jeni pranë shikuesit e dëgjuesit, pranë publikut!

Partitë politike, me idetë, programet dhe premtimet, kur vjen koha e zgjedhjeve, janë në garë për të mbledhur vota. Këmbimi i pushteteve ndërmjet garuesve është një garanci për mos ushqyerjen e autoritarizmit, ndaj debatet që kanë lindur këto ditë për mandatin e katërt të Partisë Socialiste, janë të dobishme. Bindja e shumicës është që ndërrimi, kur ndodh, është i shëndetshëm, por veçse kur fiton garën dhe merr më shumë vota.

Rotacioni si koncept demokratik i njihet Xhorxh Uashingtonit, i cili në kohërat ku regjimet monarkike, autoritariste e sunduese, gëlonin kontinentet, shkëlqesa e Tij nuk pranoi të kandidonte për një mandat të tretë presidencial. Shembuj të tjerë ka plot. Ikën personi që drejton partinë dhe vjen një tjetër nga partia, por jo se largohet partia nga konkurimi. Gazetari i njohur Karlo Bolino solli këto ditë në shtyp shëmbujt e CDU gjermane që ndenji në pushtet 32 vjet; të Demokristianëve italianë që drejtuan për 48 vjet. Po u shtoj këtyre shembujve atë të Partisë Institucionale Revolucionare, si me thënë Partia Socialiste, e cila e sundoi Meksikën për më shumë se 70 vjet, nga vitet ’30 deri më 2000-shin, gjithçka në përputhje me demokracinë, me kushtetutën, me lirinë për të zgjedhur e votuar në respekt të ligjeve.

Me përballë një karakatinë, që vetquhet opozitë, me krerë që më së shumti ndodhen atje ku janë sepse në listat zgjedhore primari ua ka siguruar qoshkën; copa të tjera të shkëputura enden në periferinë opozitare sepse s’kanë punuar kurrë dhe s’dinë të bëjnë gjë tjetër, kush ia pengon Partisë Socialiste një mandat të katërt? Në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në “Dritare TV”, i ftuari Daut Gumeni, një ish i persekutuar që vuajti gjatë në burgjet e komunizmit për idetë e tij, pyetjes se kush është kryeministri më i mirë dhe më i pranueshmi, duke e krahasuar me 9 kryeministrat që kanë qenë që nga ’90-ta, pa ngurruar tha: Edi Rama! Dhe kur e shpreh këtë bindje z. Gumeni, besojeni njerëz, se kush e ka njohur zotërinë ja njeh mirë kapacitetin intelektual dhe seriozitetin!

Mëndje të nxehta, të motivuara nga urrejtja, kanë zgjedhur që frymën e protestës, atë të kundërshtimit, ta bëjnë me bomba Molotov, që i përplasin mureve e derës së Bashkisë Tiranë, duke i shtuar kështu mundësitë Ramës që të mbajë pushtetin mbase edhe 30 vjet të tjera. Shumica shqiptare, me inteligjecë të mjaftueshme për t’i njohur këto karikatura, nuk kanë pse ua japin votën. Me primarin dhe kopenë e tij që kërkojnë “Free Berisha”, ata do ngelin pafundësisht pakicë.

Ska pak ditë që një deputet veteran i opozitës u kërkoi të vetëve të rrisin protestat jo për paqen në vend, por për ta destabilizuar, e për këtë zotohen se do i përdorin të gjitha mjetet, deri sa ta detyrojnë pushtetin të dorëzohet për të shkuar në një qeveri teknike (!?). Një opozitë, me këtë shkarje të arsyes, s’të ngelet veç se të shkrihesh gazit. Ata nuk shohin dhe s’duan të shohin Shqipërinë në zhvillim të turizmit, por duan të shohin Ramën si eksportues të mbetjeve të rrezikshme që prodhuan miqtë e primarit.

Aleati politik i “engjëllit” Beleri, i ndëshkuar nga USA dhe Britania si nongrata, kërkon ndihmë e shpreson se Greqia, do i bëhet krah, duke e mbrojtur. Ai as që e merr me mend se sa e ka dëmtuar pozitën e tij politike, duke mbrojtur Belerin e duke mallkuar gjykatat shqiptare. Do ta marri vesh këtë kur të vijnë zgjedhjet e radhës. Pavarësisht se ka siguruar përmes listave të mbyllura për vete dhe besnikët e tij qenjen deputet, rrugën që atë do e çojë në mjerim, do ta gjejë të rrafshtë.

#Në #Kazermën #Ramës #apo #në #Burgun #Primarit #Sali
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button