Përplasjet dhe tensionet në PD, reagon Bardhi: Dënoj aktet e dhunës, presioni nuk ndërton asgjë afatgjatë

Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me përplasjet e disa deputetëve të Partisë Demokratike me disa simpatizantë të Lulzim Bashës, në momentin kur deputetët vendosën të linin mbledhjen e kryesisë pasi nuk ishin dakord me propozimin për hapjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri.
Bardhi ka shkruar se presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike dhe se kjo sjellje “hedh në erë” bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD.
“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi ndaj deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD.
Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”,-shkruan në postimin e tij Gazment Bardhi.