Aktualitet

Futbolli shqiptar në zi! Ndahet nga jeta Paulin Ndoja, legjenda e portës shkodrane

Shkodra dhe futbolli shqiptar humbën një figurë të rrallë: në moshën 80-vjeçare është ndarë nga jeta Paulin Ndoja, ish-portieri i Vllaznisë dhe Kombëtares Shqiptare, një emër që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij sporti.

I lindur më 19 dhjetor 1945 në Shkodër, Ndoja u ngjit shpejt në majat e sportit duke fituar Kupën e Shqipërisë me Vllazninë në vitin 1965, vetëm 20 vjeç. Pas një ndërprerjeje për shërbimin ushtarak në Skrapar, ai rikthehet në ekip për të ndihmuar në fitimin e titullit kampion dhe të Kupës në sezonin 1971-72. Por një vit më pas, për arsye biografike, karriera e tij ndërpritet në mënyrë të dhimbshme.

Ndoja përjetoi ndërhyrje politike edhe në jetën personale. Në vitin 1971, Partia i kërkoi të ndahej nga e fejuara për shkak të biografisë së familjes së saj. “Unë nuk e ndava. Babai dhe xhaxhai më thanë: dorëzo teshat, por gruan mos e lër”, rrëfente ai më vonë. Megjithatë, kjo refuzatë ndikoi drejtpërdrejt në fundin e karrierës së tij.


Në vitin 1973 u përjashtua përfundimisht nga futbolli. “Biografia më ndiqte kudo”, kujtonte ai. Madje, për të vazhduar sportin, iu kërkua të gjente një komunist në fis apo të kishte lidhje familjare me ndonjë të tillë – një absurditet i kohës.

Edhe pse i thirrur disa herë në Kombëtare, Ndoja luajti vetëm një ndeshje zyrtare, atë kundër Kinës, ku Shqipëria fitoi 2-1. “Isha i grumbulluar shpesh, por s’më lejonin të luaja jashtë vendit”, thoshte ai me ironi të hidhur.

Pas viteve ’80, Ndoja u rikthye si trajner portierësh, profesion të cilin e ushtroi deri para pak vitesh. Ai do të kujtohet jo vetëm për talentin dhe sukseset, por edhe për karakterin e palëkundur përballë padrejtësive të kohës.

#Futbolli #shqiptar #në #Ndahet #nga #jeta #Paulin #Ndoja #legjenda #portës #shkodrane
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button