Aktualitet

Kush do të jetë ministër i ri i Jashtëm gjerman? Qëndrimet e kandidatëve për Shqipërinë e Kosovën

Për herë të parë nga viti 1966 konservatorët e CDU-së do të marrin drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Dy emra përmenden nga mediat gjermane si kandidatë për kryediplomat: Armin Laschet dhe Johann Wadephul. Cilat janë qëndrimet e tyre për Kosovën dhe Shqipërinë?

Në qeverinë e re gjermane posti i ministrit të Jashtëm do t’i takojë partisë konservatore CDU të kancelarit të ardhshëm Friedrich Merz. CDU e ka drejtuar këtë ministri për herë të fundit në vitin e largët 1966. Mes 1961-1966 ministër i Jashtëm ishte politikani i CDU-së Gerhard Schröder (një Gerhard Schröder tjetër, i partisë socialdemokrate, u bë kancelar më 1998).

Më 1966, pas dorëheqjes së Schröderit konservator, postin e ministrit të jashtëm e mori Willy Brandt, politikan socialdemokrat, instancë morale, më vonë kancelar dhe njëri nga udhëheqësit më të rëndësishëm të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Të mërkurën është miratuar agjenda e qeverisë së re gjermane, edhe resorët janë ndarë. Nga marrëveshja e koalicionit rezulton se CDU, përveç postit të kancelarit, do të drejtojë edhe shtatë ministri: Zyrën e Kancelarisë Federale (në rang ministri), si dhe ministritë e Ekonomisë, të Jashtme, të Arsimit, të Shëndetësisë, të Transportit dhe të Digjitalizimit. Sipas marrëveshjes së koalicionit, socialdemokratët (SPD) do të drejtojnë gjithashtu shtatë ministri. Përveç ministrive të Mbrojtjes, Financave dhe Drejtësisë, SPD do të marrë edhe ministritë e Punës, Mjedisit, Zhvillimit dhe Ndërtimit.

Kush do të jetë ministër i ri i Jashtëm i Gjermanisë? Dy emra po përmenden aktualisht nga mediat gjermane: Armin Laschet dhe Johann Wadephul, të dy politikanë veteranë të CDU-së.

Së pari disa të dhëna për Armin Laschet. Ai është i njohur për qëndrimet e tij pozitive ndaj Kosovës. Para disa viteve, kur provokatori politik gjerman Thilo Sarrazin shkroi se turqit po e pushtojnë Gjermaninë me natalitet të lartë si kosovarët Kosovën, Laschet reagoi menjëherë. Në një intervistë për revistën “Stern” Laschet tha: “Historia e Kosovës është pak më e ndërlikuar. Kjo (çfarë thotë Sarrazin) është mendësia e diktatorit Millosheviq, i cili kështu e ka arsyetuar politikën e tij agresive serbomadhe. Konflikti i Kosovës nuk ka shpërthyer për shkak të natalitetit, por buron nga fjalimi i Millosheviqit në Fushë-Kosovë më 1989. Me atë fjalim ai e mbuloi Ballkanin me luftë e dëbime”. Po ashtu, Laschet e ka mbrojtur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Në një intervistë për radion publike gjermane ai ka thënë: “Në konfliktin e Kosovës Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka qenë i aftë për të marrë vendim dhe megjithatë është vepruar”. Laschet e ka dekoruar qytetarin Harald Meurer për themelimin e një organizate, e cila më 1999 ka tubuar para për viktimat e luftës në Kosovë. Së fundi Laschet e shoqëroi ministren e jashtme gjermane Annalena Baerbock në një vizitë në Siri.

Pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama vitin e kaluar, Laschet shkroi në profilin e tij në Facebook: “Shqipëria është një shtet i tolerancës fetare dhe kulturore. Është mbresëlënëse se si Edi Rama, si kryeministër i një vendi me shumicë myslimane, ngriti zërin kundër antisemitizmit në fjalimin e tij për Rabbi Pinchas Goldschmidt me rastin e ndarjes së Çmimit të Karlit në Aachen. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët myslimanë i mbrojtën dhe i fshehën hebrenjtë nga nazistët. Asnjë nga hebrenjtë që kërkuan strehim në Shqipëri nuk u deportua. Guximi është i mundur”.

Marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë për hapjen e kampeve me refugjatë në territorin shqiptar, Lascher e ka quajtur model edhe për Gjermaninë.

Johann Wadephul është politikani tjetër i cili aspiron postin e ministrit të Jashtëm gjerman. Wadephul i pati quajtur diskutimet për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë si “të panevojshme” dhe “pallavra”.

Në prill të vitit 2019 ai deklaroi: “Tani duhet, më në fund, të rifillojnë bisedimet për çështje konkrete si: asociacioni i komunave serbe, furnizimi me energji në Kosovë, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, njohja e diplomave, të drejtat e të zhvendosurve, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare – përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.

Në një fjalim në parlamentin gjerman në qershor 2019 Wadephul nënvizoi: “Kur flitet për Shqipërinë e Madhe, bëhet fjalë për një rrezik real për paqen në atë rajon – një rrezik që, veçanërisht, po e nxit edhe presidenti i Kosovës, Thaçi. Kjo është e papranueshme. Nëse ka ide për të rishkruar kufijtë sipas përkatësisë etnike të popullsisë, atëherë kemi të bëjmë me një rrezik thelbësor për paqen dhe sigurinë në këtë rajon”. Indikative është që në këtë fjalim Wadephul askund nuk e përmend Serbinë.

Wadephul hyn në mesin e atyre deputetëve të CDU-së që kanë treguar shpesh mirëkuptim për autokratin serb Aleksandar Vuçiç. Në qershor 2022, kur rajonin e vizitoi kancelari Olaf Scholz, Wadephul e kritikoi itinerarin dhe deklaratat tij. Sipas “Deutsche Welle” gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e një debati për Ballkanin Perëndimor, Wadephul e quajti udhëtimin e kancelarit Scholz të dështuar, çka sipas tij dukej që nga ndalesat: “Njëherë në Prishtinë e më pas në Beograd. Që aty u duk se udhëtimi ishte tejet problematik”. Pse është problematike që së pari të vizitohet Prishtina dhe më pas Beogradi, mbetet enigmë të cilën do të mund ta zgjidhte vetëm Wadephul. Ai, sipas “Deutsche Welle”, e quajti amatoreske deklaratën e kancelarit gjerman gjatë vizitës së tij në Beograd (më 12 qershor 2022) për domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga Serbia, si parakusht për hyrjen e saj në BE. “Kjo është e dëshirueshme dhe këtë e dinë të gjithë, por njohja duhet të vijë në fund të një procesi, ndërsa tani kjo deklaratë e thënë në publik në mënyrë kaq amatoreske e ngarkon të gjithë procesin, i cili është bërë i vështirë për Serbinë”.

Këtë javë Johann Wadephul zhvilloi një takim në Beograd me presidentin serb Vuçiç, i cili gjendet nën presionin më të madh të qytetarëve që nga ardhja në pushtet para më shumë se 10 viteve. Sa i përket Shqipërisë, Wadephul shpesh ka qenë skeptik sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, duke vënë theksin te përmbushja e kushteve, ndër të cilat përmend luftën kundër korrupsionit, reformën e drejtësisë dhe reformën zgjedhore.

Në programin e qeverisë së re, e cila pritet të zgjidhet në fillim të majit, Ballkani përmendet sipërfaqësisht, po ashtu nuk jepen afate se brenda sa vitesh do të mund të realizohej integrimi i 6 shteteve të Ballkanit në BE. Në program theksohet: “Anëtarësimi i rëndësishëm në BE i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, i Ukrainës dhe i Republikës së Moldavisë është në interes të ndërsjellë. Dëshirojmë të vazhdojmë në mënyrë të qëndrueshme përpjekjet mbështetëse të BE-së dhe të shteteve të saj anëtare. Këtu bën pjesë edhe Procesi i Berlinit – sepse duhet t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat po presin prej kohësh përparim, një perspektivë të besueshme”. Në një pikë tjetër të programit nënvizohet se “migracioni i rregullt drejt Gjermanisë në kuadër të të ashtuquajturës Rregullore për Ballkanin Perëndimor do të kufizohet në 25’000 persona në vit”.

#Kush #të #jetë #ministër #Jashtëm #gjerman #Qëndrimet #kandidatëve #për #Shqipërinë #Kosovën
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button