Aktualitet

Moody’s konfirmon vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3”, me perspektivë të qëndrueshme

Agjencia prestigjioze ndërkombëtare e vlerësimit, Moody’s ka konfirmuar vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3” me perspektivë “të qëndrueshme”, duke theksuar qëndrueshmërinë e profilit të kreditit të vendit, falë reformave të vazhdueshme në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe performancën ekonomike e fiskale.

Në raportin e saj më të fundit theksohet se ekonomia shqiptare ka treguar rezistencë gjatë tri goditjeve të mëdha në periudhën 2019-2023, siç ishte tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike evropiane, duke siguruar një perspektivë të qëndrueshme afatmesme.

Agjencia, në këtë kuadër parashikon që rritja e PBB-së të mbetet e fortë me 3.8% në vitin 2025 dhe 3.4% në vitin 2026.

Moody’s parashikon një reduktim të mëtejshëm dhe gradual të borxhit publik në periudhën afatmesme. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në 57.5% në vitin 2023 dhe pritet të ulet në 53.7% deri në vitin 2026, i mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe balanca fiskale primare.

“Ky përmirësim është mbështetur nga reformat fiskale, si Strategjia Afatmesme e të Ardhurave dhe nga menaxhimi më i mirë i investimeve publike. Gjithashtu, Moody’s thekson se përmes respektimit të rregullave fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, synohet mbajtja e një balanci primare i balancuar, si dhe ulja e raportit të borxhit të përgjithshëm qeveritar ndaj PBB-së, çdo vit derisa të arrijë në nivelin 45%”.”, theksohet në vlerësim.

Agjencia parashikon gjithashtu se reformat për procesin e anëtarësimit në BE do të vazhdojnë dhe se zbatimi i tyre do të jetë gradual. Nga ana tjetër rreziqet e mundshme sa i takon likuiditetit qeveritar dhe sektorit bankar do të mbeten nën kontroll.

Profili i kreditit të Shqipërisë do të vazhdojë të përfitojë nga financimi i BE-së dhe zbatimi gradual i reformave të mëtejshme të lidhura me procesin e anëtarësimit. Reformat, veçanërisht ato në fushë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe llogaridhënies, ka të ngjarë të forcohet me avancimin e bisedimeve drejt procesit të anëtarësimit në BE.

Ky konfirmim i vlerësimit nga Moody’s është një tregues i rëndësishëm i progresit të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, duke reflektuar qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe menaxhimin efektiv përballë sfidave globale.

#Moodys #konfirmon #vlerësimin #Shqipërisë #në #Ba3 #perspektivë #të #qëndrueshme
JavaNews

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button