Aktualitet

Protesta kundër litiumit paralizon Beogradin, qytetarët bllokuan ura dhe stacione hekurudhore

Mijëra serbë dolën të protestonin të shtunën në mbrëmje në Beograd kundër hapjes së minierave të litiumit, me pankarta kundër kompanisë “Rio Tinta”, që e cilësojnë të lidhur me Aleksandër Vuçic dhe projektit “Jadar”.

Pasi mbushën sheshin kryesor të kryeqyteti serb, Terazije, protestuesit u ndanë në dy grupe duke marshuar në drejtim të stacioneve hekurudhore Prokop e Novi Beograd dhe urës Gazella. Nën sloganin “Nuk do të gërmoni”, ata bllokuan stacionet hekurudhore dhe urën më të madhe mbi lumin Sava.

Zllatko Kokanoviç nga shoqata “Nuk e japim Jadarin” teksa fliste para turmës së protestuesve tha: “Nuk ka kthim mbrapa, ne po e mbrojmë Serbinë”.

Protesta u mbyll vetëm në orët e para të mëngjesit pas ndërhyrjes së policisë në Prokop. Forcat speciale serbe ndërhynë duke dëbuar me forcë qytetarët që bllokuan stacionin hekurudhor duke ndaluar edhe aktivistët Ivan Bjelic dhe Nikolla Ristiç.

Nënkryetarja e SSP Marinika Tepiç, e cila e kaloi natën në stacionin e Prokopit të bllokuar nga qytetarët që kundërshtojnë ngritjen e minierave të litiumit, tha për N1 se, sipas vlerësimeve të saj, janë dërguar rreth 200 policë dhe të paktën 40-50 të tjerë me rroba civile, të cilët i kanë trajtuar qytetarët sikur të ishin terroristë.

“Kishte vajza, zonja të mëdha që qanin dhe i drejtoheshin si nëna dhe motra dhe ishte vërtet emocionuese. Kishte edhe lotë, por jo nga frika, por nga zhgënjimi dhe dëshpërimi se për çfarë është policia popullore dhe si sillet dhe çfarë urdhrash merr”, tha Tepiç.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, ka bërë të ditur se ministria do të ngrejë padi për dëmshpërblim, siç tha ai, kundër huliganëve që bllokojnë shinat. Ndërsa, ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç ka deklaruar se për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe shkelje të ligjit do të ngrihen kallëzime.

Protesta ishte organizuar nga Aleanca e Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi qeveria nuk e përmbushi kërkesën e tyre për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon gërmimet për litium dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë.

“Duket se kemi rënë viktimë e një kolonie të ardhshme minerare. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Prandaj jemi këtu për të ngritur zërin, për t’u mos pajtuar, dhe për të mbrojtur mbijetesën e shtetit tonë”, tha aktorja dhe aktivistja për mbrojtje të ambientit, Svetllana Bojkoviç.

Në afërsi të protestës kundër minierave të litiumi, është mbajtur edhe një kundër-protestë, e thirrur prej organizatës “E denjë për Serbinë”. Disa përfaqësues të organizatës janë parë me flamuj serbë dhe rusë nëpër duar.

Ata kanë ngritur disa tenda ditë më parë, për të parandaluar, siç kanë thënë, “mashtrimin sikurse ka ndodhur më 5 tetor”, duke aluduar në revolucionin e vitit 2000, kur është përmbysur regjimi autokratik i Sllobodan Millosheviçit.

“Nuk jemi duke protestuar, jemi për t’i informuar njerëzit, sepse po përgatitet mashtrimi”, ka thënë Liljana Markiçeviç, në disa komente për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve, kjo organizatë është themeluar më 2017. Në mesin e synimeve të përmendura në statut të saj janë anëtarësimi në Bashkimin Euroaziak, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak me Rusinë dhe Kinën, si dhe anulimi i marrëveshjeve të Brukselit, të nënshkruara më 2013 nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

#Protesta #kundër #litiumit #paralizon #Beogradin #qytetarët #bllokuan #ura #dhe #stacione #hekurudhore
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button