Aktualitet

Rekord në Itali, Juventusi ofron 55 milionë euro për Kopmainersin

Juventusi ka vendosur që t’i përqendrojë të gjitha forcat tek ëndrra e madhe e merkatos së verës: Teun Kopmainers. Sipas ekspertit të merkatos Frabricio Romano, klubi bardhezi ka vendosur që të rrisë ofertën në drejtim të klubit të Atalantës duke kapur vlerën 55 milionë euro.

Kjo do të thotë se bëhet fjalë për shifrën më të lartë të paguar në Serinë A për një mesfushor dhe tregon se sa shumë “Zonja e Vjetër” e kërkon lojtarin holandez për t’i dhuruar Tiago Motës një mesfushor total dhe për të bërë hapin e madh cilësor drejt objektivave madhorë.

SHIFËR REKORD- Oferta e bardhezinjve nuk është domethënëse vetëm për aspektin ekonomik, por edhe për simbolikën. Të paguash 55 milionë euro për një mesfushor do të thotë rekord i ri për Serinë A italiane. Kjo tregon se sa shumë Xhuntoli i beson lojtarit të Atalantës për ta shndërruar në një lider. Kopmainers është një nga mesfushorët që në vitin 2021 ka shënuar më shumë gola dhe ka kualitet dhe vizion në lojë.

DËSHIRA E TIJ- Nga ana e lojtarit dëshira është e madhe për të veshur fanellën bardhezi. Teu Kopmainers i ka bërë me dije Atalantës që dëshiron të veshë fanellën e Juventusit sepse është i joshur nga mundësia për të luajtur në nivele të larta në Itali dhe në Europë. Kjo gjë mund të jetë shumë vendimtare në bisedën mes dy klubeve.

KONTAKTET- Me një ofertë formale në tavolinë, pritet që orët e ardhshme të jenë vendimtare për Juventusin dhe për mesfushorin. Tani duhet që të vendoset sërish ura e komunikimit mes dy palëve. Atalanta në fakt ka vendosur që të shkojë në “luftë” për këtë çështje. Pavarësisht se lojtari thotë se nuk dëshiron të stërvitet sepse është i stresuar, raporti mjekësor nuk e vërteton këtë gjë. Klubi zikaltër ka vendosur që ta lajmërojë për stërvitjen e pasdites dhe lojtari duhet të paraqitet patjetër, ose në të kundërt rrezikon gjobën dhe përjashtimin. Tashmë gjithçka është shndërruar në një luftë nervash mes palëve.

GASPERINI- “Situata shkoi shumë mirë deri një javë më parë, pastaj Kopmainers vendosi që të transferohet te Juventusi”. Për të qartësuar situatën që prej javësh, ose më mirë prej muajsh është duke mbajtur të ndezur merkaton në Itali ka menduar trajneri Xhan Piero Gasperini. Në një intervistë për “Eco di Bergamo” ai tregon se si lojtari holandez ka marrë vendimin për të mos luajtur dhe për të mos u stërvitur më me skuadrën zikaltër.

DEKLARATA- Trajneri i Atalantës është i qartë dhe i drejtpërdrejtë në fjalët e tij për gazetën e qytetit. “Ai ka një akord me Juventusin dhe ndihet i stresuar gjatë kësaj periudhe. Me këtë sjellje, nuk mund të jetë i vlefshëm as për skuadrën dhe as për shokët e skuadrës”, thotë Gasp. E përkthyer ndryshe: Nëse në harkun e pak ditëve nuk do të ndryshojë asgjë, atëherë mesfushori nuk do të jetë pjesë e Atalantës për ndeshjen e Superkupës së Europës kundër Realit të Madridit.

#Rekord #në #Itali #Juventusi #ofron #milionë #euro #për #Kopmainersin
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button