Aktualitet

Ushqejmë turistët dhe rrisim eksportet bujqësore?

Nga Fatos Çoçoli

Logjika ta do që me 40 përqind më shumë gojë për të ushqyer këtë vit, nga shtimi i parashikuar me po 40 përqind i vizitorëve të huaj tek ne, prodhimi ynë bujqësor për eksport do ta kishte të pamundur të rritej. Kjo, ngaqë prodhimet e freskëta i ha turisti. Për shembull, Greqia në vitet bum të turizmit të saj 1988-2002, u detyrua të ulte eksportet bujqësore, për të përballuar ushqimin e turistëve të huaj. Priti me dhjetra milionë turistë që ia thanë prodhimet e plantacioneve greke. Kjo i ndodhi edhe Spanjës e Portugalisë në kohën e artë të turizmit të tyre, në vitet 2000-2010. Për Portugalinë kjo kohë po vijon edhe tani. Eksportet bujqësore të këtyre vendeve pësuan në kulmin e viteve turistike një frenim, Megjithatë, kjo nuk po ndodh tek ne dhe ia vlen të gezohemi.

Eksportet bujqësore u shtuan ndjeshëm në vitin 2023, edhe pse patëm 32 përqind më shumë vizitorë të huaj. Po ndodh edhe këtë vit. Në 5-mujorin e parë të vitit 2024, eksportet bujqësore në Shqipëri kanë shënuar një shtim dyshifror me 12 përqind. Ato kanë arritur në 182 mijë tonë, nga 163 mijë tonë vitin e kaluar, ose 19 mijë tonë më shumë. Kjo rritje e qëndrueshme tregon përkushtimin e fortë të fermerëve dhe bujqëve tanë, për të shtuar prodhimin “Made in Albania”. Investimet e tyre janë kryesisht për prodhimin për eksport, edhe pse tregu i brendshëm po kërkon më shumë domate, kastraveca, perime e fruta serrash dhe are. Duhet ta pranojmë se prodhimi bujqësor për eksport nuk do të kishte rezistuar në rritje, pa politika të qarta shtetërore në mbështetje të sektorit bujqësor.

Gjatë këtij muaji, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nisi ndarjen e fondeve për fermerët dhe blegtorët, të cilët u shpallën fitues nga programet e mbështetjes, të aplikuara për vitin 2024. Përparësi në disbursim kanë fermerët dhe blegtorët brenda Bashkimeve të Operatorëve Bujqësorë dhe Grupimeve të fermerëve, të cilët këtë vit konsiderohen të parët në fillimin e financimit dhe disbursimit me 100% të vlerës së aplikimit. Skema e Mbështetjes 2024  ka në qendër të vëmendjes edhe çertifikimin e produkteve organike, përmes Çertifikatës Global GAP dhe çertifikatave të tjera. Duke pasur në vëmendje subvencionet për këto masa, qeveria po synon rritjen e cilësisë së prodhimit tonë bujqësor e blegtoral, për të hapur tregje me vlerë të lartë për eksportet tona bujqësore. Me këtë turizëm të brendshëm të shtuar kaq fort, duket i vështirë objektivi që në vitin 2030, Shqipëria të arrijë nivelin e 1 miliardë euro eksporte bujqësore.

Megjithatë, për vitin 2023, eksportet tona bujqësore arritën shifrën e 570 milionë euro dhe shtimi me 12 përqind i tyre për periudhën janar-maj 2024, ështe shenjë që po ecet në drejtimin e duhur, Ndërkohë, sektori i agroturizmit është një sektor shumë premtues tek ne. Ai paraqitet kompleks dhe ndodhet në fillimet e tij. Skema Kombëtare 2024 e ndihmon në mënyrë indirekte këtë sektor, përmes çertifikimit Global GAP, çertifikimit të produkteve organike dhe mbështetjes së fermave organike. Ministria e Bujqësisë ka hedhur për diskutim publik Strategjinë Kombëtare për Agroturizmin deri në vitin 2030. Menjëherë pas miratimit të kësaj strategjie, pritet të ketë një mbështetje direkte për agroturizmin nga Skema Kombëtare 2025 e në vitet në vijim.

Në tërësi, Skema Kombëtare 2024 përfaqëson një mbështetje financiare të rëndësishme për bujqësinë dhe zhvillimin rural, e financuar nga buxheti i Shtetit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon që rreth 70 mijë fermerët fitues të përfitojnë nga të gjitha masat e Skemës, duke disbursuar sipas verifikimeve të plota. Po zbatohen me impakt të qartë edhe programet për rritjen e pagave, zgjerimin e hartës së eksporteve për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin, përmirësimin e infrastrukturës së ujitje-kullimit, menaxhimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore përmes digjitalizimit, si dhe këshillimin dhe rritjen e asistencës për fermerët.

#Ushqejmë #turistët #dhe #rrisim #eksportet #bujqësore
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button