Flick i impresionuar nga puna e Kounde
Pak orë pasi u eliminua nga Euro 2024, Jules Kounde u shfaq në bazën sportive të Barcelonës. Jo për të praktikuar, por për të takuar personalisht trajnerin e ri Hansi Flick përpara se të fillojë pushimet.
Pikërisht atëherë francezi i insistoi gjermanit se donte të merrte pjesë në turneun në SHBA. Edhe pse trajneri e inkurajoi që të bënte pushime derisa skuadra të kthehej nga toka amerikane, mbrojtësi e ruajti dëshirën për të hipur në aeroplan, transmeton Sport.
Më 9 korrik, Spanja mposhti Francën në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian. UEFA e konsideron ditën e nesërme ditë pune, ndaj pushimet e lojtarëve francezë kanë nisur zyrtarisht më 11 korrik. Para se të nisej për pushime, Kounde ka vizituar bazën e Barcelonës ku ka qëndruar për dy ditë, konkretisht më 11 dhe 12 korrik.
Francezi ka përshëndetur bashkëlojtarët e tij, është njohur me stafin e ri të trajnerëve dhe në veçanti ka biseduar me Hansi Flick, të cilit i ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në turneun në SHBA.
Flick i tha Kounde-s se pas një sezoni shumë të gjatë dhe kërkesave të Kampionatit Evropian, gjëja më e përshtatshme është që mbrojtësi të pushojë të paktën tre javë të plota për t’u freskuar.
Ideja e Flick është që Jules t’i bashkohet formacionit pas kthimit nga turneu në SHBA, kur do t’i bashkohen Lamine Yamal, Pedri dhe Ferran Torres.
Megjithatë, Kounde nuk u dorëzua dhe qëndroi i vendosur në synimin e tij për të shkuar në turne me Barcelonën. Ai do të shfaqet në tokën amerikane më 1 gusht.
Ky opsion do t’i lejojë francezit të shijojë praktikisht tre javë pushime.
/ Sport/
#Flick #impresionuar #nga #puna #Kounde
gazetablic.com