Kosova e Serbia duhet t`i dorëzojnë sot komentet mbi planin e sekuencimit

Qeveria e Kosovës pritet që sot t`i dorëzojë në Bruksel komentet mbi dokumentin e planit të sekuencimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Nga Qeverisa thanë se do t’i përgjigjen kërkesës së ndërmjetësve evropianë porse për zbatim të marrëveshjes duhet e njëjta qasje edhe nga pala tjetër.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se këto komente nuk do ta ndryshojnë fort rrjedhën e dialogut, duke pasur parasysh qasjen e palës serbe.
“Nuk pres asgjë nga këto komente sepse nuk besoj që pala serbe është e gatshme që t’i nënshtrohet një sekuencimi të zbatimit të marrëveshjes dhe BE-ja nuk i ka mekanizmat e imponimit që marrëveshja të zbatohet dhe ata që nuk e zbatojnë, çfarë masa do të ketë ndaj tyre”, ka thënë për RTK, analisti Dritëro Arifi.
Sipas tij, dialogu nuk do të prodhojë asnjë rezultat konkret nëse nuk shtohet presioni ndaj palës serbe e cila vazhdimisht ka shkelur marrëveshjen.
“Duke parë presionin që duhet t’i bëhet palës serbe, sepse ajo është që po refuzon cdo gjë, pres që rezultati të jetë zero. Në asnjë mënyrë nuk pres ndonjë levizje konkrete apo serioze në atë drejtim”, ka shtuar Arifi.
Në takimin e fundit në Bruksel nuk ka pasur ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes.
#Kosova #Serbia #duhet #dorëzojnë #sot #komentet #mbi #planin #sekuencimit
gazetablic.com