Aktualitet

Pas gafës në samit, Biden e paraqet veten si mbrojtës të NATO-s dhe Ukrainës

Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë konferencës për media pas përmbylljes së samitit të NATO-s në Uashington më 11 korrik, bëri të ditur përpjekjet e tij për të ndërtuar partneritet për kundërshtimin e pushtimin rus të Ukrainës që nga viti 2022 dhe tha se ai do të vazhdojë ta mbajë “NATO-n të fortë”.

“Për ata që menduan se koha e NATO-s kishte kaluar, ata u përballën me një zgjim të ashpër kur [presidenti rus, Vladimir] Putin, pushtoi Ukrainën”, tha Biden.

Gjatë fjalimit hapës prej tetë minutash, që shpesh dukej si një fjalim fushate në kohën kur marrja e mandatit të dytë presidencial është vënë në pikëpyetje, Biden u mburr me veprimin e tij të hershëm për të paralajmëruar botën se Rusia po përgatitej të pushtonte fqinjin e saj dhe me ndërtimin e një koalicioni partnerësh për ta kundërshtuar këtë pushtim.

Biden tha se Putini mendoi se Ukraina do të bjerë “në më pak se një javë”, por shteti ende po reziston. Ai po ashtu tha se do të bëjë gjithçka “që lufta të përfundojë menjëherë”.

Paraqitja e tij para mediave është parë si moment kyç për presidentin amerikan, pas paraqitjes së tij të dobët gjatë debatit kundër Donald Trumpit, kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Paraqitja e Biden, 81 vjeç, gjatë debatit të 27 qershorit nxiti dyshime lidhur me aftësinë e tij për të mposhtur Trumpin apo për të shërbyer edhe për një mandat presidencial, nëse do të fitonte. Po ashtu, janë rritur thirrjet në mesin e mbështetësve demokratë dhe zyrtarëve të zgjedhur që Biden t’i japë fund fushatës presidenciale, edhe pse figurat e larta të partisë kanë vazhduar mbështetjen e tyre për presidentin amerikan.

Para se të niste konferenca, që nga disa u cilësua shumë e rëndësishme, Biden veçse u përball me kritika pasi gabimisht iu referua presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si “presidenti Putin”.



#Pas #gafës #në #samit #Biden #paraqet #veten #mbrojtës #të #NATOs #dhe #Ukrainës
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button