Aktualitet

Lushtaku: Nuk pres mrekulli nga takimi në Bruksel, Lajçaku nuk është i paanshëm, e kuptoi edhe Kurti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se nuk pret mrekulli nga takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel.

Ai thotë se në asnjë nga takimet e deritanishme s’ka pasur konkretizim të marrëveshjeve.

“Realisht nuk pres një mrekulli, as konkretizim të marrëveshjeve, e dimë që realisht nuk ka pasur asnjëherë në takimet që janë zhvilluar mes Serbisë dhe Kosovës, përfaqësuesve të qeverive, një konkretizim të marrëveshjeve edhe pse Marrëveshja e Ohrit ishte në pajtueshmëri por nuk pati nënshkrime. Gjithsesi nuk pres sidomos nga një ish ministër i Millosheviqit ndryshim të rolit të tij dhe në këtë aspekt nuk pres ndonjë ndryshim të madh”, thotë deputeti.

Lushtaku po ashtu ka folur dhe për qëndrimet e PDK-së për Lajçakun si ndërmjetësues i dialogut dhe qëndrimet e Kurtit për të, derisa thotë se tani kryeministri ka ardhur në të njëjtin përfundim.

Sipas deputetit, Lajçaku nuk është i paanshëm dhe shpreson që së shpejti ta përfundojë mandatin e në vend të tij të vie një diplomat që vjen nga një shtet njohës i Kosovës.

“Ne kur kemi folur për Lajçakun, vet kryeministri ka folur pozitivisht për të. Kemi folur për Lajçakun pasi vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën dhe për neve në vazhdimësi në deklarata publike kemi treguar që nuk është e drejtë që ai të prezantojë paanësinë e BE-së sepse vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën. Dhe tash kur vjen në përfundim të tillë pas shumë sfidave dhe takimeve ku nuk e ka marrë parasysh edhe argumentet tona, është për keqardhje sepse po tregon pazotësi në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për qëndrimet që i ka pasur në vazhdimësi Lajçaku dhe Borrelli sa i përket Kosovës. Gjithsesi, ka ardhur në përfundimin e njëjtë që kemi qenë ne, Lajçaku nuk e tregon paanësinë e vet dhe këtë e kemi thënë nga fillimi i marrjes së mandatit dhe shpresojmë që sa më parë të përfundojë mandati i tij dhe të merr një ambasador një diplomat që së pari vjen nga një shtet që e njeh pavarësinë e Kosovës dhe pastaj kemi një mundësi më të mirë për Kosovën”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Tutje, Lushtaku thekson se s’pret rezultate nga Lajçak as në pjesën e mbetur të mandatit, sidomos që të ketë sanksione ndaj Serbisë, edhe pse është ajo që nuk i ka zbatuar marrëveshjet.

“Nuk pres që të ketë rezultate konkrete sepse nuk ka autoritet, nuk ka kredibilitet, edhe nga ana jonë që ne t’i besojmë atij që ka një paanësi, në këtë aspekt nuk pres një rezultat të mirë, nuk pres sanksionim edhe të Serbisë nga ana e BE-së sepse ne e kemi parë që ka më shumë sanksionim ndaj Kosovës se sa ndaj Serbisë, ndërsa ka marrëveshje të shumta që Serbia nuk i ka zbatuar dhe më shumë sanksionohet Kosova, kjo është edhe për shkak të paaftësisë dhe pazotësisë edhe të qeverisë Kurti”, thekson deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku./Gazeta Blic/

Basha: Lajçak ka dështuar në dialog, ai dhe Borrell të merren me Vuçiqin



#Lushtaku #Nuk #pres #mrekulli #nga #takimi #në #Bruksel #Lajçaku #nuk #është #paanshëm #kuptoi #edhe #Kurti
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button