EURO 2024, sot ndeshja Kroaci – Shqipëri, të gjithë me sytë nga “derbi ballkanik”

Kuqezinjtë do të zbresin sot në fushë për tu përballur me Kroacinë. Kjo është ndeshja e dytë për Shqipërinë në finalet e Kampionatit Europian dhe do të luhet në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut, në orën 15:00.
Sfida e dytë e kuqezinjve në Europian do të gjykohet nga një trupë arbitrash francezë.
Kryesori i këtij takimi do të jetë arbitri francez, François Letexier, teksa asistentët e tij do të jenë Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni. Në rolin e arbitrit të katërt në këtë ndeshje është emëruar Sandro Schärer.
Ndërsa, Willy Delajod do t’i vijë në ndihmë arbitrit kryesor François Letexier nga dhoma e VAR-it.
Shqipëria dhe Kroacia zbresin në fushë me zero pikë dhe dueli shihet si një përballje ‘jetë a vdekje’ për kalimin në raundin e dytë.
Kjo ndeshje do të vulosë fatin e një prej ekipeve për vijimin e rrugëtimit europian.
UEFA thotë se trajneri i kuqezinjve pritet që të bëjë 3 ndryshime në formacion. Sipas UEFA, në fushë nuk do të zbresë Elseid Hysaj, i cili është kritikuar gjerësisht në rrjet për uljen e kokës pasi Italia shënoi golin e dytë.
Ai sipas UEFA-s mund të zëvendësohet me Balliun. Risi pritet të jetë edhe sulmuesi Arbër Hoxha në vend të Seferit dhe Ismajli në vend të Ajetit. Ndërkohë, pjesa tjetër pritet të jetë e njëjtë.
57 mijë vende ka stadiumi “Volksparkstadion” në Hamburg dhe sërish pritet që tribunat të vishen kuqezi dhe të dominojnë tifozët shqiptarë, njëjtë si në ndeshjen me Italinë.
Ndeshja e radhës e Shqipërisë është me Spanjën më datë 24 qershor, ndërsa në përballjen me Italinë humbi me rezultatin 1-2.
/a.r
#EURO #sot #ndeshja #Kroaci #Shqipëri #të #gjithë #sytë #nga #derbi #ballkanik
Java News