Aktualitet

Krasniqi: Lista Serbe dëshiron të ketë monopol mbi politikën e serbëve në Kosovë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se procesi i votimit në katër komunat në veri të Kosovës, lidhur me shkarkimin e kryetarëve shqiptarë po shkon “qetë dhe mirë”.

Në një deklarim për gazetarët nga Leposaviçi, ku vizitoi qendrat e votimit, Krasniqi u ndal edhe te bojkotimi i procesit të votimit nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, të cilën e akuzoi se dëshiron të ketë “monopol” mbi politikën e komunitetit serb në Kosovë.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit të Kosovës. Tashmë qytetarët, edhe me votim, deklarojnë nëse janë për largimin e kryetarëve ose jo”, tha Krasniqi.

Ai tha se institucionet kanë realizuar të gjitha obligimet për mbajtjen e këtij procesi, duke nisur nga nxjerrja e udhëzimit administrativ në shtator, e deri tek organizimi i votimit më 21 prill. Dalja në votime është e ulët. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00, vetëm 85 persona kanë votuar.

Qytetarët që marrin pjesë në zgjedhje zgjedhin opsionin “po” ose “jo” lidhur me shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Që procesi të jetë i suksesshëm, duhet që 50 për qind plus një votues të votojë për largimin e kryetarëve. Në të kundërtën, një nismë e tillë mund të merret sërish pas 12 muajsh. Serbët kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar, kur u zgjodhën kryetarët aktualë shqiptarë.

Në maj 2023, kur këta kryetarë shkuan në zyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb./REL

#Krasniqi #Lista #Serbe #dëshiron #të #ketë #monopol #mbi #politikën #serbëve #në #Kosovë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button