“Marrëdhënie unike mes dy vendeve”, Le Figaro: Rama vlerëson partneritetin me Francën
“Nuk mund të jesh pro evropian dhe të mos jesh pro francez”, deklaroi Edi Rama në frëngjisht gjatë një vizite në Elysee –
PARIS, 13 prill /ATSH/ – Kryeministri shqiptar Edi Rama vlerësoi dje partneritetin me Francën duke theksuar se ”të jesh pro evropian do të thotë të jesh pro francez”, ndërkohë që presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi një “marrëdhënie unike” mes dy vendeve si dhe rrugën e Shqipërisë drejt Evropës, shkruan gazeta e njohur franceze ”Le Figaro”.
”Ne jemi pro francezë, sepse të qenit pro francez është një pikë referimi për të qenë pro evropian. Nuk mund të jesh pro evropian dhe të mos jesh pro francez”, deklaroi Edi Rama në frëngjisht gjatë një vizite në Elysée.
”Shqiptarët, të them të drejtën, ishin pak skeptikë për Francën disa vite më parë. Sot e kuptojnë se Shqipëria ka një mik tjetër të ngushtë”, vijoi kryeministri, i cili ka studiuar në Francë.
”Nëse keni nevojë ndonjëherë që dikush të jetë me ju në një kohë të vështirë të jashtëzakonshme, telefononi një shqiptar! Ai do të jetë atje!”, premtoi ai.
“Revolucion i thellë”
Emmanuel Macron, nga ana e tij, përshëndeti “një revolucion të thellë, një hapje të vendosur” të këtij vendi të ish-bllokut komunist dhe “të gjitha reformat dhe kapacitetin për të ecur përpara nën drejtimin tuaj” duke iu drejtuar Ramës.
”Unë kam admirim për rrugën që po ndjek vendi juaj, për ndjenjën shumë të thellë evropiane dhe pro franceze”, nënvizoi ai.
”Për shkak se jeni ju, sepse jemi ne, marrëdhënia është unike dhe falë kësaj pune të përbashkët do të jetë edhe më e fortë nesër”, theksoi ai.
Të dy vendet nënshkruan gjithashtu një marrëveshje ndërqeveritare që përfshin dhënien e një kredie prej 120 milionë eurosh nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) për të ndihmuar Tiranën në drejtim të eficencës së energjisë.
/a.r
#Marrëdhënie #unike #mes #vendeve #Figaro #Rama #vlerëson #partneritetin #Francën
Java News