Aktualitet

Mediat lidhin “Sindromën e Havanës” me Rusinë, Moska hesht. Cila është njësia që zhvilloi armët zanore

Një sëmundje misterioze që ka prekur diplomatët amerikanë vitet e fundit është lidhur me një njësi të inteligjencës ruse. Stafet amerikane me “Sindromën Havana”, të stacionuara rreth globit kanë pasur simptoma të pashpjegueshme si për shembull, marrje mendsh. Sipas një hetimi të përbashkët mediatik të Insider, Der Spiegel dhe CBS, ata mund të jenë shënjestruar nga armët zanore ruse. Moska ka mohuar përfshirjen në këto raste dhe zyrtarët amerikanë janë shprehur se nuk ka gjasa që për këto raste të fajësohet një qeveri e huaj. Por në vlerësimin e tyre për “incidentet anormale shëndetësore” të bëra një vit më parë, ata nuk dhanë shpjegim tjetër alternativ duke i frustruar personat e prekur nga kjo sindromë.

Fenomeni e mori emrin nga kryeqyteti i Kubës, Havana, aty ku u regjistrua rasti i parë në vitin 2016. Megjithatë raportet e fundit sugjerojnë se rastet e para mund të kenë ndodhur në Gjermani dy vite më herët.

Personeli amerikan i prekur nga kjo gjendje, ku përfshiheshin edhe të punësuar të Shtëpisë së Bardhë, CIA-s dhe FBI-ja, janë ankuar për marrje mendsh, dhimbje koke, mungesë përqendrimi dhe për një zhurmë të vazhdueshme dhe të dhimbshme në veshë. Deri më tani janë raportuar më shumë se 1 mijë raste në lidhje me këtë sëmundje dhe dhjetëra prej tyre konsiderohen të pashpjegueshme. Ligjvënësit amerikanë kanë kaluar disa akte ligjore për të mbështetur viktimat e këtyre rasteve dhe njerëzve që u konfirmohen dëmtime në tru kanë të drejtë të paguhen.

Prej kohësh ka pasur një dyshim se ata që janë prekur nga sindroma janë goditur nga një energjia e drejtuar ose nga mikrovalët e nxitura nga pajisje të fshehura. Kjo e fundit ishte një mundësi që u pranua në një raport të mëparshëm të inteligjencës amerikane. Hetimi i fundit mediatik pretendon se operativët e një njësie të inteligjencës ushtarake ruse, ose siç njihet ndryshe 29155, mund të ketë shënjestruar mendjet e diplomatëve amerikanëve me armë që drejtojnë energjinë. Aty thuhet se ka prova që i vendosin anëtarët  kësaj njësie në qytete rreth botës në kohën kur u raportuan këto incidente. Si pjesë e hetimit, Insider, ka raportuar se oficerët e njësisë 29155 janë shpërblyer si pasojë e punës së tyre lidhur me zhvillimin e armëve zanore jo vdekjeprurëse.

Një hetues ushtarak amerikan që ekzaminonte rastet e sindromës tha për CBS se lidhja mes viktimave të sindromës ishte një “lidhje e Rusisë”. Ndërsa një e prekur nga kjo sindromë, një agjente FBI-je, tregoi rreth eksperiencës së saj pasi u godit nga një forcë e fuqishme në shtëpinë e vet në Florida. Ajo tha se pasi i ranë të fikët pati probleme me memorien dhe përqendrimin.

Zyrtarët amerikanë janë shprehur pas këtij hetimi se do të vijojnë të ekzaminojnë incidentet shëndetësore, por përsëritën pozitën e tyre se nuk ka shumë gjasa që një kundërshtar i huaj të jetë përgjegjës. Ndërsa Rusia nuk ka komentuar mbi këto raportime.

/a.r

#Mediat #lidhin #Sindromën #Havanës #Rusinë #Moska #hesht #Cila #është #njësia #që #zhvilloi #armët #zanore
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button