Aktualitet

U vra 99 vjet më parë në Bari, si i shihte Luigj Gurakuqi koncesionet në Shqipëri

Luigj Gurakuqi u vra në 2 mars 1925 në Bari të Italisë. Ai u qëllua nga një i afërm i tij i paguar nga Ahmet Zogu nëpërmjet kunatit Ceno Kryeziu.

Gurakuqi lindi në Shkodër në një familje tregtarësh të njohur.

Shkollën e mesme do ta përfundonte në Itali, ashtu sikurse edhe shkollën e lartë, duke u diplomuar për mjekësi.

Ishte poet, shkrimtar e gjuhëtar e një ndër hartuesit e firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë.

Roli i tij në çështjen kombëtare e sidomos në çështjen e zhvillimit të arsimit në Shqipëri është i njohur gjerësisht.

Por ka një anë tjetër, pak e njohur e tij është kontributi për ekonominë.

Gurakuqi ishte një nga politikanët më të njohur e të arsimuar të kohës.

Ai u emërua Ministër i Financave gjatë periudhës së qeverisjes së vendit nga Fan Nolin në periudhën qershor-dhjetor 1924.

Gazetari Kreshnik Kuçaj, sjell në vëmendje edhe qëndrimin e Gurakuqit, përsa i përket koncesioneve që Shqipëria ishte e detyruar të nënshkruante asokohe për shkak se shihej si e vetmja mënyrë zhvillimi.

Gurakuqi do të shfaqej kritik dhe jo mbështetës i tyre, por sipas tij nëse do te bëheshin te kishte disa kushte që duheshin vendosur ndaj kompanive.

“Luigj Gurakuqi ka qenë një nga deputetët më aktivë në parlamentin shqiptar në fillimin e viteve ’20. Në këtë periudhë, Shqipëria sapo kishte dalë nga Lufta dhe diskutohej gjerësisht mënyrë e zhvillimit ekonomik.

Opsionet për Shqipërinë në këtë periudhë ishin vetëm 2; ajo e marrjes së një huaje nga jashtë dhe tjetra, ajo e dhënies së koncesioneve për shfrytëzimin e pasurive natyrore. Në këtë mënyrë mund të siguroheshin të ardhurat për të mundësuar ndezjen e motorit ekonomik të vendit.

Opsioni i parë, ai i një huaje nga jashtë nuk u arrit e si rrjedhojë, u kaluan në opsionin e dytë.

Ajo që duhet evidentuar është se Shqipëria në këtë periudhë i druhej mundësisë së një pushtimi nga një vend tjetër dhe sapo kishte konsoliduar pavarësinë territoriale të saj.

Ndaj edhe në dhënien e koncesioneve, tregohet shumë kujdes me qëllim që në Shqipëri të mos vinin kompani nga shtete që mund të cënonin këtë pavarësi të rifituar.

Në këtë periudhë, interesi kryesor ishte për pasuritë natyrore të vendit; kryesisht naftën dhe pyjet. Shumë kompani të huaja britanike, franceze, italiane, jugosllave etj afrohen në Shqipëri për të marrë koncesione të ndryshme.

Ndërsa këto kontrata koncesionare paraqiteshin për votim në Kuvend, Luigj Gurakuqi shfaqet si një nga deputetët më të zellshëm në diskutime.

Formimi i tij ekonomik dhe informacion i gjerë që ai kishte për teoritë ekonomike dhe për situata të ngjashme në vende të tjera do të bënin që ai të mbante një qëndrim analitik lidhur me efektin e këtyre kontratave në ekonominë dhe të ardhmen e saj në Shqipëri.

Ai këmbënguli shumë që në dhënien e koncesioneve të mos aplikohej parimi i eskluzivitetit me argumentin se do të “mbysnin” zhvillimin e industrisë dhe tregtisë.

Në diskutimet e kontratave që bëhen në Kuvend ai mbron tezën e vendosjes së afateve të më të shkurtra të koncesioneve duke e cilësuar si shumë të gjatë periudhën 20-35 vjeçare që jepeshin ato.

Këtë tezë ai e mbron në fillimin e viteve ’20 kur u diskutuan në parlament marrëveshja e qeverisë shqiptare për dhënien e koncesionit të duhanit për një kompani britanike, koncesioni i pyjeve apo kur u diskutua koncesioni i vajgurit.

Po ashtu, Gurakuqi kërkon vazhdimisht që të tregohet kujdes me shtetet të cilave u jepeshin koncesionet në Shqipëri. Në këtë rast, sipas Gurakuqit, koncesionet duhej t’u jepeshin fuqive të mëdha ose shteteve që nuk kishin interesa politike në Shqipëri dhe që nuk rrezikonin sovranitetin e saj.

Një kërkesë tjetër e përsëritur nga Gurakuqi ishte ajo që të mos lejohej shitja e aksioneve të kompanive të koncesioneve nga njëri shtet në tjetrin.

Madje, në listën e propozimeve të tij janë ato që aksionet të jenë nominale, në mënyrë që të dihej se kush ishte zotëruesi real i aksioneve.

Po ashtu, Gurakuqi në shumë diskutime për koncesionet mbështeti tezën e pranisë së shqiptarëve në listën e aksionerëve të kompanive që krijoheshin nga dhënia e koncesioneve për shfrytëzimin e pasurive natyrore apo për qëllime të tjera ekonomike.

Madje, Gurakuqi në propozimet e tij ngulmon që përqindja e shqiptarëve pjesëmarrës në aksione të ishte mbi 50 përqind, duke përbërë shumicën e duke pasur në këtë mënyrë edhe peshën vendimmarrëse.

Edhe pse jeta e tij fizike në Shqipërinë e pavarur ishte shumë e pakët, Gurakuqi la një kontribut të jashtëzakonshëm”.

/f.s

#vra #vjet #më #parë #në #Bari #shihte #Luigj #Gurakuqi #koncesionet #në #Shqipëri
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button