Kuçovë: Videot e 10-vjeçarit me fjalë banale në TikTok, arrestohen gjyshja dhe babai i tij
Një rast i pazakontë vjen këtë të mërkurë nga Kuçova, nga ku policia njoftoi arrestimin e dy personave: Nënë e bir.
Natasha Rombula 67-vjeçe dhe Armando Kumaraku 44-vjeç u arrestuan pas një hetimi 2 mujor, ku autoritetet dolën në përfundimin se ata shfrytëzonin një 10-vjeçar, nipi dhe djali i të arrestuarve, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok. Ata postonin video të të miturit me fjalë denigruese dhe banale.
Kallëzimi për rastin në fjalë u bë nga nëna e 10-vjeçarit, në Dhjetor të vitit që lamë pas. Rombula dhe Kumaraku u shpallën në kërkim për t’u arrestuar më pas në Sarandë, aty ku jetonin.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast. Si rezultat i hetimeve dy mujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula. Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Show”.
Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale. Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë ndaluar shtetasit A. K., 44 vjeç dhe N. R., 67 vjeçe, të dy banues në Sarandë“, tha policia e Kuçovës në një njoftim për mediat.
Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku nuk janë personazhe të panjohur për publikun. Ata kanë pasur disa dalje në emisione televizive dhe rrjete sociale. Për herë të parë Natasha Rombula u shfaq në televizion pasi kishte konflikte me ish-nusen, për kujdestarinë e 10-vjeçarit. Në rrjetet sociale ekzistojnë video të shumta të vetë 67-vjeçares e cila përdor lirshëm fjalë banale e nuk i kursen fyerjet për ish-nusen.
/a.r
#Kuçovë #Videot #10vjeçarit #fjalë #banale #në #TikTok #arrestohen #gjyshja #dhe #babai #tij
Java News