Aktualitet

Çitaku: Seanca në OKB barasvlerësoi sulmin terrorist në Banjskë me dinarin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka komentuar seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, konkretisht për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që ndalon qarkullimin e dinarit serb.

Çitaku thotë se seanca e mbrëmshme ishte një shfaqje brutale e mungesës së koordinimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me aleatët ndërkombëtarë. Sipas saj, kjo seancë barasvlerësoi sulmin terrorist në Banjskë me çështjen e dinarit.

“Fatkeqësisht, ajo se çfarë pamë mbrëmë ishte një shpërfaqje brutale e mungesës së koordinimit mes kryeministrit Kurti dhe aleatëve tanë… dhe fatkeqësisht seanca e mbrëmshme e barasvlerësoi sulmin terrorist në Banjskë me çështjen e dinarit apo valutave të huaja. Mendoj që ka qenë një goditje e madhe për Kosovën”, tha ajo në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Sipas Çitakut, qasja arrogante dhe aventureske e Kurtit po sjellë goditje të njëpasnjëshme për Kosovën.

“Fatkeqësisht qasja arrogante dhe aventureske e kryeministrit po na sjellë goditje të njëpasnjëshme. Kosova është nën masa, nën sanksione nga BE, dhe dje morë një goditje në Këshillim e Sigurimit. Qeveria e Kosovës ish dashur të rrijë sa më larg vendimit të BQK-së. Vendimi është udhëzim administrativ – rregullore e BQK-së”, shtoi ish-ambasadorja.

Ajo tha se Kosova mbrëmë ra në grackën e Serbisë, e që sipas saj nuk është hera e parë.

“Qeveria nuk ish dashur që ta instrumentalizojë atë vendim… Kosova ra në grackën e Serbisë, dhe kjo nuk është hera e parë. Pas sulmit terrorist në Banjskë, sulm i cili qartazi ishte i orkestruar nga shteti serb në vend që të përdoret ai momentum për të kaluar në ofensivë diplomatike për të koordinuar hapat me aleatët në mënyrë që të avancojmë në procesin e partneritetit për paqe në KE e të tjera, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Kurti ndërmerr veprime të tilla. E ktheu presionin mbi supe të Kosovës pa asnjë arsye”, shtoi Çitaku.

Ajo është shprehur e bindur se Qeveria e Kosovës do të shtyjë vendimin e BQK-së.

“Qeveria e Kosovës do ta shtyjë vendimin ashtu kështu, mirëpo dëmi tashmë është bërë. Një dëm i madh i është bërë Kosovës”, deklaroi Çitaku.



#Çitaku #Seanca #në #OKB #barasvlerësoi #sulmin #terrorist #në #Banjskë #dinarin
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button