“Vajza qante çdo ditë në shkollë, askush s’e kuptoi”/Rregullat brenda familjes së ‘burgosur’ në Tiranë
35-vjeçari Jetnor Zhaboli i cili kishte ‘ngujuar’ brenda shtëpisë në Selitë nënën, gruan dhe fëmijët e tij të mitur është ndër ngjarjet e fundit tronditëse të kronikës. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci thotë në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se vajza 9-vjeçare e çiftit kishte rreth një vit që qante çdo ditë kur shkonte në shkollë për shkak të traumës, por nuk ishte kuptuar nga askush.
Daci shton se në dëshminë e vajzës përmenden grindjet e çiftit, frika e saj dhe se si e ëma i thoshte gjithmonë se kishte dashuri mes tyre.
Glidona Daci: Vajza ka shkuar për gati një vit duke qarë çdo ditë në shkollë dhe askush nuk e ka kuptuar se për çfarë vajza qante. As zysha kujdestare, as psikologia e shkollës, punonjësi social, shoqet e klasës. Një fëmijë 9 vjeç që vjen çdo ditë dhe qan për shkak të dhunës sepse vajza e tregon në dëshmi, në praninë e psikologut, vajza e tregon me detaje që “babi i bërtet mamit kot, zihet me mamin kot, unë herë pas here kam frikë nga babi por babi na thotë që babin e do shumë dhe ai na do shumë dhe ne duam që babi thjesht të shërohet dhe të kthehet dhe të jetojmë të lumtur unë, vëllai, nëna, mami dhe babi” dhe ajo tregon që ka shkuar në shkollë duke qarë pikërisht për shkak të problemeve dhe dhunës që ushtronte i ati ndaj të ëmës, jo ndaj fëmijëve sepse duhet ta sqarojmë këtë pjesën sepse siç duket, pikën e tij të dobët e kishte te bashkëshortja.
Gazetarja përmend edhe letrat e bashkëshortes së 35-vjeçarit ku ajo dukej se linte njëfarë amaneti dhe “duke i treguar bashkëshortit që e donte shumë dhe se nuk e kuptonte pse ai po sillej në këtë lloj forme dhe pse ai shkoi deri në këtë pikë, duke lënë amanet fëmijët e saj te familjarët dhe të afërmit e tjerë, duke u kërkuar fëmijëve që të duan njëri-tjetrin dhe të duan babain, u ka kërkuar familjarëve të saj që ta duan bashkëshortin e saj sepse askush nuk ishte fajtor për atë që ajo po bënte apo për atë që ajo donte të bënte dhe gjithashtu nga ana tjetër është edhe një detaj shumë interesant që ajo thotë që ‘nuk ju kam turpëruar kurrë’, u thotë familjarëve të vet, ‘unë nuk ju turpërova kurrë’ dhe fëmijëve u thotë ‘nëna dhe gjyshi do ju flasin gjithë kohës për mamin, sa shumë ju kam dashur’,” shkruhet në to.
Shtëpia ishte e blinduar nga kamerat, përgjuesit dhe bllokuesit e valëve. Gjithashtu është raportuar familjarët vëzhgoheshin edhe në tualet. Daci sqaron se nga procesverbali i strukturave hetimore, nuk ka rezultuar që të ketë pasur kamera në tualet. Një tjetër detaj lidhet me praninë e nënës së 35-vjeçarit në shtëpi.
Glidona Daci: E ëma e 35-vjeçarit nuk është se jetonte vazhdimisht me djalin, pra nuk jetonin gjatë gjithë kohës aty. Ato jetonin në intervale, ajo shkonte-vinte sepse edhe në dëshmi bashkëshortja e 35-vjeçarit e shpjegon që ne shkonim sa te shtëpia e vjehrrit dhe vjehrrës, sa te shtëpia e tyre në zonën e Selitës. Pra, nuk është se ka pasur, po themi një familje… sepse gjithmonë ia lëmë kushteve të vështira ekonomike, mos shkollimit, sistemit arsimor apo shumë faktorëve të tjerë. Në këtë rast, familja e 35-vjeçarit ka një gjendje shumë të mirë financiare. E dyta, ai ka punuar, një djalë shumë i zgjuar, një djalë shumë i dashur. Të gjithë njerëzit që i njihnin e përshkruajnë në thonjëza, kanë qenë ata të dy “çifti perfekt” dhe “dy njerëz fantastikë dhe të mrekullueshëm”. Prej më shumë se sa një viti, tregon bashkëshortja, ajo nuk dilte më dhe kur dilte për të bërë pazarin për të blerë ushqimet, do duhej të dilte patjetër me atë ose kur ai dilte nga shtëpia të gjithë personat do kyçeshin në shtëpi dhe ai çelësin e merrte me vete.
Katerina Trungu: Bashkë me fëmijët, bashkë me prindërit?
Glidona Daci: Kushdo që të ishte sepse ai shkonte dhe çonte djalin në kopsht dhe kthehej nga kopshti. Në momentin e parë kur ka vajtur policia, i ka rënë ziles, është përgjigjur e ëma e 35-vjeçarit sepse gruaja dhe vajza nuk flisnin dot sepse ashtu ishin të përcaktuara rregullat. Ajo ka treguar që “ne jemi brenda, jam me nusen e djalit, me vajzën, me mbesën por që nuk kam çelës të hap derën sepse çelësin e ka marrë djali”. Është pritur nga ana e strukturave të policisë të rikthehej ai në shtëpi, të merrej, të shoqërohej, të merrej çelësi, të hapej dera, të dilnin dhe pjesa tjetër e familjarëve dhe ajo që duhet shpjeguar është se bashkëshortja në momentet e para kur ka hyrë policia në shtëpi, nuk ka dashur ta tregojë, ka dashur ta mbrojë sepse ajo e shpjegon edhe në dëshminë e saj, edhe në letrat e saj që “unë nuk e kuptoj pse ai u shndërrua kështu, unë kam dashur ta ndihmoj, ta mbështes”.
/a.r
#Vajza #qante #çdo #ditë #në #shkollë #askush #kuptoiRregullat #brenda #familjes #së #burgosur #në #Tiranë
Java News