Aktualitet

Shqipëria po “çlirohet” |

Nga Artur Ajazi

Eshtë fakt i pakundërshtueshëm se, Shqipërinë e ka mbajtur peng korrupsioni i ngritur në sistem, larg familjes europiane. Eshtë fakt që, prej 30 vitesh, ndërkombëtarët kërkonin me ngulm “luftoni korrupsionin, luftoni korrupsionin në çdo nivel”. Eshtë fakt që, çdo qeveri që ka ardhur pas 1992, ka vënë “një tullë” në sistemin korruptiv që ka prekur çdo qelizë të shoqerisë shqiptare, nga institucionet e vogla deri lart. Eshtë fakt që, ndërkombëtarët deri para krijimit të SPAK-ut, e kushtëzonin hapjen e negociatave me “luftën pa komprimis ndaj korrupsionit”.

Pra, korrupsioni në çdo “qelizë” të shtetit, kishte kapur fort fatin e vendit dhe të ardhmen e shqiptareve. Nisja e goditjeve nga SPAK-u, arrestimi, hetimi, gjykimi dhe burgosja e ish-kryetareve të bashkive, drejtuesve lokalë, ministrave dhe zv.ministrave, duke arritur deri lart në postin e zv.kryeministrit, ndryshoi gjithçka. Qasja pozitive e kancelarive europiane, bëri që Shqipëria sot të jetë shumë pranë anetarësimit në BE. Krerët e lartë të Bashkimit Europian dhe SHBA, kanë ripërsëritur mbështetjen e tyre të hapur ndaj qeverisë “Rama”, por edhe ndaj SPAK-ut, si një prej faktorëve vendimtarë që ndryshoi rrjedhën e historisë postkomuniste të Shqipërisë.

Po hapen dhe do të hapen dosje të vjetra korruptive dhe kriminale, po merren dhe do të merren në ndjekje penale dhe do të përfundojnë mbrapa hekurave, ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-ministra të dikurshëm dhe të sotëm, që kanë denoncime dhe gati dosje në SPAK. Në popull, është kristalizuar mendimi pozitiv se “Shqipëria po çlirohet nga e keqja më e madhe”. Dhe kjo po ngjet me penalizimin e atyre që vodhën pronat e ish-pronarëve, me ata që erdhën nga fshati me çorape nejloni dhe valixhe druri, dhe që sot kanë vila dhe komplekse turistike plus llogarive bankare brënda dhe jashtë vendit.

Shqipëria dhe shqipëtarët po “çlirohen” dhe po marrin frymë lirisht, tek shohin në dyert e SPAK-ut, ish-kryetare bashkish, ish-ministra, ish-zv.ministra, ish-drejtorë të lartë, ish-prokurorë dhe ish-gjyqtarë, ish-drejtorë policie dhe shefa komisariatesh, që pasi janë shkarkuar, po përballen me organet e reja të drejtësisë. Politika destruktive, po “shtërngon rripin” përballë agresionit të ndëshkimit ligjor. Nuk ka më “vidh dhe zhvat se të mbron partia”. Kushdo ka vjedhur, ka përvetësuar, dhe ka fallcifikuar firmën dhe vulën e institucionit, apo dhe shkelur ligjin, e ka vendin në SPAK, dhe prej aty në burg. Shqipëtarët po “çlirohen” nga makthi, stresi, moszgjidhja e problemeve me institucionet dhe drejtuesit e tyre.

Vendi po pastron imazhin nga baltovina 30 vjeçare, që ka bërë pis gjithçka të bukur natyrore dhe njerëzore. Korrupsioni po merr goditje fatale dhe frontale. Kaq mjafton të thuash se Shqipëria po “çlirohet”, po merr frymë lirisht, e pakushtëzuar nga akuza dhe pretendime të brëndshme dhe të jashtme se “ju pengon korrupsioni dhe dënimi zyrtareve dhe politikanëve të futeni në BE”. Natyrisht, kjo është fitore e madhe për gjithë shqiptarët, por që nesër do ti shërbejë lehtësisht Edi Ramës për të fituar me dinjitet me votën e lirë, mandatin e katërt qeverisës.

#Shqipëria #çlirohet
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button