Fitimet e klinikave dentare/ Shqiptarët e të huajt shpenzojnë 224 mln euro për dhëmbët në 5 vjet

Qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj kanë shpenzuar të paktën 22.7 miliardë lekë apo rreth 224 milionë euro për të rregulluar dhëmbët në pesë vitet e fundit.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se të ardhurat e klinikave dentare kanë shkuar në linjë me zgjerimin e turizmit, që nga 3.9 miliardë lekë arritën në 6 miliardë, vitin e shkuar.
“Bëhet fjalë për një trend në rritje. Kryesisht nga të huajt. Kryesisht, italianët janë ata që vijnë në Shqipëri dhe bëjnë trajtime dentare. Kjo konfirmohet jo vetëm nga unë, por edhe kolegë të tjerë në këtë fushë”, thotë Aida Sadiku, stomatologe.
Për pushime dhe për të rregulluar dhëmbët. Një rrugë e dy punë po përpiqet të bëjnë, jo vetëm italianët. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se kanë qenë së paku 10 mijë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për trajtime stomatologjike.
Megjithatë, vetë aktorë nga ky treg në zhvillim, thonë se në fakt shifrat janë shumë herë më të larta, por sektori vuan nga një shkallë e lartë e informalitetit e cila shkon deri në 50 për qind.
“Është shumë më shumë. Kjo pasi siç në krahasim me një vit më parë, mund të them se kam 2-fishin e klientelës së huaj. Shfrytëzohen në mënyrë sinkrone, turizmi detar dhe pushimet. Është edhe pjesa e çmimeve që i josh të huajt”, vijon më tej stomatologia Sadiku.
Në gjithë vendin janë rreth 3 mijë e 800 stomatologë të licencuar, që punojnë në rreth 1 mijë e 500 klinika dentare. Në raport me 5 vite më parë, numri i klinikave është zgjeruar me rreth 20 për qind.
/f.s
#Fitimet #klinikave #dentare #Shqiptarët #të #huajt #shpenzojnë #mln #euro #për #dhëmbët #në #vjet
JavaNews