Aktualitet

Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji, “delfinët” e Lulzim Bashës që u shndërruan në cironkat e Berishës

Nga Rigels Seliman

Akrobacia nuk është vetëm një aktivitet i kufizuar në botën e cirkut, atë e gjen edhe te disa politikanë, që në mungesë të udhëheqësisë apo forcës për t’i qëndruar parimeve, nisin të spërdridhen sapo interesat e tyre cenohen, duke braktisur çdo bindje. Politikanë të tillë janë takticien, që me mëditje arrijnë të mbyllin ditën, por nuk kanë asnjë perspektivë afatgjatë, pasi nëse në këtë fushë je për veten e jo për të tjerët, dallgët e para të nxjerrin në breg, si një trup pa jetë politike, i përpirë nga tallazet e një loje më të madhe se ta. Ky është edhe fati politik i dy prej të rinjve më shumë të mbështetur nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ata janë Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji.

Të dy janë promovuar dhe janë shtyrë në fushën publike për shkak të vullnetit të Bashës, duke u dukur në sytë e qytetarëve dhe komentuesve të politikës si delfinët e tij. E pikërisht nën petkun e delfinëve ata morën çdo gjë nga Partia Demokratike, e kur përballja me Sali Berishën nisi pas 9 shtatorit 2021, ata ishin ndër njerëzit më të zjarrtë në sulmin ndaj të shpallurit “non-grata” nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Por, sapo Basha dha dorëheqjen në mars të 2022-shit, akuzatorët më të egër të Berishës, fshehën shkopinjtë e bejsbollit që kishin rrëmbyer për të mbrojtur selinë nga sulmi mesjetar i ish-kryeministrit, harruan akuzat për Gërdecin dhe korrupsionin familjar të Berishës, dhe nisën avash-avash mohimin e betejës së tyre për të mbrojtur Partinë Demokratike nga izolimi dhe përballja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një mungesë koherence dhe një tregues paqëndrueshmëri, që tregojnë se as betejën e parë kundër Berishës, e as këtë të dytën që po bëjnë në krah të tij, nuk i kanë për interes të qytetarëve dhe demokratëve, por për interesin e tyre personal. Kështu që në pak kohë, sa hap e mbyll sytë, ata u kthyen nga “delfinë” në cironka të vogla në gojën e peshkaqenit Berisha, i cili di mirë si t’i kurdisë ata dhe frikën e tyre nga e ardhmja politike, duke u premtuar atë që u ka premtuar të tjerëve në Foltore, një vend pas largimit të tij. Kështu njëri pas tjetrit, po lënë mandatet, si në rastin e Këlliçit dhe Boçit, po lënë fytyrën, si në rastin e Bardhit dhe Salianjit, me shpresën e vobektë dhe naive se, një ditë, ai që nisi luftën kundër PD dhe SHBA për të mbrojtur veten dhe familjen e tij, do të heq dorë për të akomoduar ata që e kanë sulmuar dhe kanë votuar për ta përjashtuar nga partia.

Diçka krejt e pabesueshme për të gjithë ata që njohin Berishën dhe kryeneçësinë e tij, në veçanti kur ata që i janë vendosur në shërbim, kartën e vetëm që kanë në dorë, kanë hallin për t’u bërë dikush përmes të tjerëve, pa një bazë, pa një vizion, pa një projekt, por vetëm me kulisa.

Dhe kur bën politikë vetëm përmes pazareve personale, herët a vonë do paguash koston e saj, sidomos kur bëhesh i padëshiruar nga kampet e ndryshme që ke frekuentuar. Pasi në njërin krah ke qenë e më s’të duan, në tjetrin je dhe s’të kanë dashur, pra një angazhim politik i ndërtuar nga intrigat dhe mungesa e koherencës, këtë kusur të jep me vete. Dhe nga delfin bëhesh thjeshtë cironkë, që në mungesë të moralit apo respektit për bindjet e atyre që të kanë mbështetur, përfaqëson vetëm një hallkë të vogla të zinxhirit ushqimor të politikës, ku peshku i madh e ha të voglin.

Gjithmonë!

#Gazment #Bardhi #dhe #Ervin #Salianji #delfinët #Lulzim #Bashës #që #shndërruan #në #cironkat #Berishës

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button