Kërcënoi me fondet dhe integrimin, BE rrëzon Athinën për ‘Belerin’: Nuk ndërhyjmë në drejtësinë shqiptare

Reagimet ‘kërcënuese’ të Athinës, për bllokim të fondeve dhe rrugës së shqipërisë drejt BE, janë hedhur poshtë nga Bashkimi Europian. Në reagimin për Report TV, një zyrtar i lartë i BE-së, i tha gazetarit Ermal Qori se Bashkimi Europian nuk ndërhyn në çështjet e drejtësisë shqiptare, që në rastin konkret bëhet fjalë për Fredi Belerin i arrestuar për zgjedhjet e 14 majit, pasi u përfshi në skemën e blerjes se votës, 50 euro secila.
“Ne po vazhdojmë të ndjekim zhvillimet, por ne nuk komentojmë cështjet që janë nën hetim”. Ndryshe nga vendi fqinj, zyrtari i BE-së i tha Report Tv se kishte një thirrje për organet e drejtësisë. Ne bëjmë thirrje dhe të sigurohemi që procesi të mbahet në mënyrë të duhur.
Referuar deklaratës, zyrtarët e lartë të Unionit mbajnë në monitorim të gjitha zhvillimet e fundit politike në vend, ndërsa pak ditë më parë, qeveria greke kërcënoi nëpërmjet Ministrit të Punës se do të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Shqipëria do të harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiaku i Himarës. Shqipëria do paguajë çmim shumë të lartë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve” tha Adonis Georgiadis
Më herët, pas protestës së organizuar në Himarë, kryeministri Edi Rama reagoi duke kërkuar nga përfaqësuesit e Athinës t’i binden ligjit.
“Ky hap i hedhur si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke që ajo flamë lind në shtresa të keqinformuara e në grupe të caktuara ekstremistësh, të cilët i mezipresin këto raste me bidon benzine në dorë, gjë që as nuk e dyshoj një sekondë se jo vetëm unë dhe qeveria shqiptare, po as kryeministri dhe qeveria greke nuk e dëshirojnë hiç asfare.”
Qëndrimi i Belerit në burg i pamundëson atij betimit. Sipas ligjit shqiptar, nëse Beleri nuk betohet brenda një afati 3 mujor, pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, atëherë qeveria shqiptare ka të drejtën për ta shkarkuar. Këshilli u konstituua me 27 qershor, që do të thotë afati maksimal i Belerit për betimin është 27 shtatori. Kjo çeshtje është kthyer në teme e nxehtë mes Greqisë dhe Shqipërisë, deklaroi Rama.
/a.r
#Kërcënoi #fondet #dhe #integrimin #rrëzon #Athinën #për #Belerin #Nuk #ndërhyjmë #në #drejtësinë #shqiptare