Aktualitet

Darka në Athinë dhe çorientimi i Ramës për situatën në rajon

Ëndrrat dhe projektet dikur qenë të mëdha. Që nga pajtimi një herë e përgjithmonë i shqiptarëve dhe serbëve, tek negociimi i konfliktit të lashtë mes Greqisë dhe Turqisë, apo thashethemi se një ditë mund të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Kush ia njeh ambicien madje e quan edhe “lider global”. Por këtë të hënë, Edi Rama e ka gjetur veten të përjashtuar nga tryeza e lojës. Sepse lojtarët janë në Athinë. Ndërsa ai mungon për shkak të mosmarrëveshjeve me Kirjakos Micotakis në lidhje me arrestimin e Fredi Belerit.

Sebepi i grekëve për darkën informale është përvjetori i deklaratës së Selanikut 20 vite më parë. Nuk do të ketë nevojë për deklarata zyrtare, apo angazhime shtetërore. Në tryezën e mbushur me ushqimet e zgjedhura, kryeministra dhe presidentë do të jenë të shtensionuar nga vera e mirë dhe pa kamera që imponojnë qëndrimet e ngrira. Në tavolina si këto, Rama gjithnjë ka shkëlqyer me humorin dhe batutat plot kripë.

 


Albin Kurti u pa teksa shtrëngon duart me Ursula fon der Leyen para darkës. Në Janar, ai pret liberalizimin e vizave, ndaj ka arsye të jetë i qeshur. Vuçiç ka qenë pak i frenuar. Ka thënë se iu duk “e çuditshme” ftesa për Prishtinën, por do të jetë bashkë me të tjerët në tryezë.

Me ta do të bashkohet edhe presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel, kryeministrat e tjerë, të Kroacisë, të Maqedonisë së Veriut, një nga presidentet e Bosnje-Hercegovinës, presidenti i ri i Malit të Zi etj. Të gjithë të qeshur nga fotot para darkës që shpërndante Micotakis.

Si për ta ngacmuar edhe një herë Ramën, pak para fillimit të darkës Ministria e Jashtme greke gjeti kohë të bëjë një reagim tjetër për Fredi Belerin. Gjykata shqiptare e la përsëri në burg.

Mungesa në Athinë nuk ka kaluar pa efekte tek kryeministri Edi  Rama. Dhe më së miri këtë e tregoi një reagim të çuditshëm që ai shpërndau në Tëitter. Rama iu përgjigj papritur një interviste që Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç e ka dhënë në një emision mëngjesi për Pink Tv. Vuçeviç kishte thënë mes të tjerash se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk duhet të mendojnë se meqë janë pjesë e NATO-s, atëherë “problemet e tyre kanë mbaruar”.

Rama i shkruan me nervozizëm dhe i thotë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s dhe “të përkushtuar për sigurinë dhe intergritetin territorial” të njëri tjetrit. Me pak fjalë, Rama del i gatshëm të luftojë për malazezët dhe maqedonasit, nëse serbët e kanë seriozisht me kërcënimet e tyre.

Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit” shkruan Rama.

Deklarata e Ramës ka disa probleme logjike. Së pari, këtë gadishmëri për luftë, ai nuk e ka shfaqur as kur kërcënohej territori i Kosovës në situata shumë herë më kritike. Vuçiç kishte zhvendosur ushtrinë në kufi me Kosovën, por asnjëherë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk shfaqi ndonjë ndjeshmëri për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës, siç bën për territorin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Problemi i dytë në këtë përgjigje është se deklarata e Vuçeviçit është bërë të shtunën në mëngjes. Nëse stafi i këshilltarëve do ta kishte alarmuar Ramën për kërcënimin e Maqedonisë së veriut dhe Malit të Zi, Rama duhej të kishte reaguar menjëherë, jo pas dy ditësh. Përgjigjia kaq e vonë, e bën të duket qesharak.

Problemi i tretë  e nxjerr akoma më qesharak. Duhet kuptuar se shqetësimi i Ramës për mbrojtjen e territorit të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut nga kërcënimet e Serbisë, bëhet në një kohë që drejtuesit e këtyre tre shteteve janë duke ngrënë e duke pirë bashkë në një darkë joinformale në Athinë. Pra, ndërsa Kovaçevski dhe Milatoviçi janë kokë më kokë tani me Vuçiçin në një tryezë, Rama ka nxjerrë deklaratën që thotë se është i gatshëm të shkojë në luftë me ta kundër Serbisë.

Me këtë deklaratë, në fakt, Rama vetëm sa ka konfirmuar nervozizmin për mungesën në darkën në Athinë. Kandidaturën e grekut për Bashkinë e Himarës ai mund ta kishte ndaluar përmes Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Mund ta kishte ndalur me një koalicion me opozitën në Himarë. Por zgjodhi mënyrën më të shkurtër, duke i vënë prangat dy ditë para zgjedhjeve. Pa e menduar se situata do t’i përshkallëzohej deri në këtë nivel. /



#Darka #në #Athinë #dhe #çorientimi #Ramës #për #situatën #në #rajon

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button