Life Style

Mbyllen hetimet, SPAK çon për gjykim Fran Tucin dhe dy të tjerë

Me përfundimin e hetimeve, ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Fran Tuci është dërguar për gjykim bashkë me ish-kreun e Njësisë Administrative Iballë Ndoc Marku.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, është faktuar që dy të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dëmtuar një sipërfaqe të madhe pyjore duke hapur një segment të ri rrugor në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu administratori i firmës “Legjendari“ Durim Markgjekaj akuzohet për ndërtim të paligjshëm.

Njoftimi zyrtar i SPAK:

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 67 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 16.08.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1.   Fran Tuci, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

2.   Ndoc Marku, akuzuar për veprën penale veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

3.   Durim Margjekaj, akuzuar për veprën penale të “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pgf 4 i Kodit Penal.

Nga analiza e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, rezulton se është e provuar që të pandehurit Fran Tuci dhe Ndoc Marku, në bashkëpunim mes tyre, me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë dëmtimin e rëndë (vlerësuar në 234,007,500 lekë) të pasurisë së llojit “fond pyjor” dhe terrenit përkatës, regjistruar në zyrën kadastrale në emër të Bashkisë Fushë Arrëz. 

Ndërsa i pandehuri Durim Margjekaj, në cilësinë e administratorit të firmës “Legjendari” sh.p.k. me dashje të plotë dhe tëdrejtpërdrejtë ka kryer punime ndërtimi infrastrukture pa lejen përkatëse duke sjellë pasoja të rënda në pasurinë e llojit “fond pyjor” në pronësi të bashkisë Fushë Arrëz.

Tuci u vu në pranga më datë 13 Korrik të këtij viti i akuzuar për shpërdorim detyre. Për të njëjtën akuzë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” u vendos edhe ish-administrator i Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku. Struktura e Posaçme tha në një njoftim zyrtar, se Fran Tuci në bashkëpunim me ish-administratorin e njësisë Iballë, në kundërshtim me ligjin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor, i cili ka cenuar një sipërfaqe të madhe të fondit pyjor në pronësi të Bashkisë.

Punimet e kryera nga administrator i një subjekti privat gjithashtu ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor. Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e 234,007,500 lekë.

Për akuzat, Tuci pretendon se dëmet janë më pak, pasi mali ishte i zhveshur nga pemët.

/a.r

#Mbyllen #hetimet #SPAK #çon #për #gjykim #Fran #Tucin #dhe #të #tjerë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button