Pas vrasjes së kandidatit për president, kapet në Holandë 600 mln euro kokainë nga Ekuadori

Një sasi rekord prej 8.8 ton kokainë është zbuluar nga autoritetet holandeze në portin e Roterdamit, vetëm pak orë pasi në Ekuador u vra me armë zjarri kandidati për President Fernando Villavicencio.
Lënda narkotike e fshehur në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori është kapur që në datën 13 korrik, por prokurorët holandezë e njoftuan operacionin vetëm këtë të enjte.
Kjo sasi kokaine është më e madhja e sekuestruar ndonjëherë në vend, me vlerën e saj që përllogaritet në 600 milionë euro.
“Më 13 korrik, autoritetet doganore bënë sekuestrimin më të madh të drogës të bërë ndonjëherë në portin e Roterdamit”, thuhet në një deklaratë të prokurorisë.
“Në dymbëdhjetë paleta me banane u gjetën gjithsej 8,064 pako kokainë, me peshë nga një kilogram secila.“
Doganat holandeze sekuestruan më shumë se 29,702 kilogramë drogë në gjysmën e parë të 2023.
Holanda, Belgjika dhe Spanja janë vendet në të cilat mbërrijnë sasitë më të mëdha të drogës në Evropë, me dërgesa kryesisht nga Panamaja, Kolumbia dhe Ekuadori.
Vitet e fundit, Ekuadori është goditur nga një valë dhune që i atribuohet bandave të trafikut të drogës, e cila kulmoi ditën e djeshme me vrasjen e kandidatit për president, Fernando Villavicencio, i cili denoncoi korrupsionin dhe premtoi luftë ndaj trafikantëve.
/a.r
#Pas #vrasjes #së #kandidatit #për #president #kapet #në #Holandë #mln #euro #kokainë #nga #Ekuadori