Aktualitet

Sigurimi i banesave nga tërmeti bëhet i detyrueshëm/ Nëse s’paguan nuk merr asnjë shërbim në e-Albania e në Kadastër

Nëse nuk paguan primin e sigurimit të banesës nga tërmeti nuk do të marrësh dot shërbime publike nga platforma e-Albania, as shërbimet kadastrale, ndërsa bizneset nuk do të marrin shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Kështu është parashikuar në nenin 33 të pr/ligjin për “Sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” i cili është hedhur tashmë për konsultim publik.

Primi i sigurimit duhet të paguhet me detyrim nga çdo individ  person fizik ose juridik, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave.

Edhe për zyra do paguhet policë, ngelen jashtë ndërtesat me qerpiç
Të gjitha banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme e kanë detyrimin për të siguruar. Përjashtohen nga kjo taksë ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër – kallami  ose të ngjashme dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.


Policë sigurimi dhe për banesat në legalizim.
Detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre. Ndërkohë buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.

Sigurimi nuk mbulon dëmet në njerëz përfshi vdekjen
Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmtimet në banesë duke përjashtuar dëmin tjetër pasuror (mobilet, pajisjet e brendshme, etj) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen, kompensim të dëmeve morale; shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbeturinave apo dhe humbjet financiare nga ndërprerja e biznesit dhe fitimi i munguar.

Paguhet çdo vit, dëmshpërblimi brenda 9 muajsh
Sigurimi që paguhet nga poseduesit e banesave do të rinovohet çdo 1 vit dhe periudha e vlefshmërisë së policës së sigurimit është një vit. Ndërsa dëmshpërblimi paguhet brenda nëntë muajve. Polica gjenerohet përmes sistemit e-Albania.
Përfituesi i dëmshpërblimit me vullnetin e tij mund të transferojë vlerën e dëmshpërblimit e tij pranë fondit te rindërtimit i cili krijohet me ligj të veçantë që rregullon rindërtimin nga pasojat e tërmetit.
‘Shtetëzohet’ sigurimi i banesave nga tërmeti

Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit dhe përgjegjës është Ministri i Financave.
Fondi mund të bëjë transferta pranë fondit të rindërtimit i cili krijohet me ligj të veçantë që rregullon rindërtimin nga pasojat e tërmetit

Si llogaritet niveli i primit?

Niveli i primit duhet të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Po kështu vlera e dëmshpërblimit për dëme që rrjedhin nga polica e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk kalon në asnjë rast limitin maksimal sipas metodologjisë të dëmshpërblimit të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave “Fondi Kombëtar për Tërmetet”

Sistemi elektronik

Një sistem elektronik do të ketë të regjistruar të gjitha të dhënat e subjekteve, pagesave të primit, përcaktimin e tij dhe dëmet

Kur vlerësohet ?

Nënkupton një tërmet me magnitudë 5.0 ose më të lartë të shkallës rihter i cili ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë ose rajonet ngjitur dhe ka sjellë dëme në Shqipëri, i raportuar nga Autoriteti Kombëtar i autorizuar të masë tërmetet.

Vlerësohen pjesë e ngjarjes së tërmetit, të gjitha tërmetet pasuese (paslëkundjet – aftershocks) si dhe zjarri, shpërthimi, rrëshqitjet e tokës apo ulje (zhvendosje) të shkaktuar nga lëkundjet pasuese, që ndodhin gjatë një periudhe kohore prej 72 (shtatëdhjetë e dy) orësh nga zhvillimi i ngjarjes së tërmetit.

Me këtë skemë të sigurimit të detyrueshëm të tërmeteve në Fondin Kombëtar për Tërmetet pothuajse përjashton kompanitë private të sigurimeve nga produkti i sigurimit vullnetar të banesave për tërmetet.

Siguruesve privatë u ngelet sigurimi i katastrofave të tjera natyrore, apo sigurimi nga zjarri.

#Sigurimi #banesave #nga #tërmeti #bëhet #detyrueshëm #Nëse #spaguan #nuk #merr #asnjë #shërbim #në #eAlbania #në #Kadastër

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button