Maturantët këshillohen për karrierën, nxënësit orientohen drejt profesioneve që sigurojnë punësimin

Në gjimnazet e vendit, krahas përgatitjeve për provimet e maturës, po vijojnë edhe seancat e këshillimit për orientimin drejt karrierës.
Maturantët e vlerësojnë këtë proces si tepër efektiv, por për ta, veçanërisht i rëndësishëm mbetet komunikimi i vazhdueshëm dhe mbështetja për të ndjekur profesione që lidhen me dëshirat dhe zgjedhjet e tyre personale.
“Është një hallkë kryesore apo faktor kyç. Këtë vit kam qenë shumë e dyzuar. Kanë qenë ndikues për faktin që duhej të zgjidhja një profesion që aktualisht ka treg pune, qoftë për Shqipërinë por edhe qoftë jashtë vendit. Herë pas here kemi bërë takime me ish-nxënës tanë, specialistë të fushave të ndryshme”, u shpreh një nxënëse.
“Më shumë mendoj na ndihmojnë të gjejmë pikën ku duam të arrijmë, jo të ndryshojnë idetë tona. Shohin kërkesat tona dhe na ndihmojnë”, tha një tjetër.
Për ekspertët, një këshillues i mirë karriere duhet të ekuilibrojë me kujdes pasionet e të rinjve me realitetin e tregut të punës.
“Këshillimi i karrierës është vendimtar për karrierën e të gjithëve. Është një shërbim që duhet të funksionojë shumë shëndetshëm në çdo shoqëri. Ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ofrojë një shërbim të ngritur cilësisht. Është një shërbim delikat; me pak mungesë profesionalizmi mund të dëmtohet e ardhmja e individit, familjes, por edhe e shoqërisë. Kështu që vëmendje për të formuar mirë specialistët që do të ofrojnë shërbimin. Tregu i punës do të ndryshojë aq shumë dhe në një formë aq dinamike, sa që nuk ka më profesione të preferuara. Duhet vëmendje maksimale përkundrejt aftësive dhe interesave”, tha Nada Kallçiu, eksperte arsimi.
Ndaj, thekson Kallçiu, është e rëndësishme që strukturat përkatëse të garantojnë cilësi dhe përkushtim në këtë shërbim, në mënyrë që çdo nxënës të ndihet i orientuar, i dëgjuar dhe i motivuar për të ndjekur rrugën që i përshtatet më mirë.
#Maturantët #këshillohen #për #karrierën #nxënësit #orientohen #drejt #profesioneve #që #sigurojnë #punësimin
Java News