Nipat e Agron Kapllanajt sulmuan agjentin e BKH-së dhe policinë, prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet pas sulmit që iu bë agjentëve të BKH-së dhe oficerëve të Operacionales.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr.509, datë 16.04.2025, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 237/3 e 25 të Kodit Penal, mbi bazën e njoftimit nga shërbimet e policisë gjyqësore për një ngjarje të ndodhur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, Fier”, njoftoi Prokuroria e Fierit.
Sipas hetimeve ka rezultuar se një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë qenë duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz e Madhe.
Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga shtetasi O.I., ç’ka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar.
Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qëndruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut” të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga ku kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit.
“Në vijim të veprimeve të para hetimore, Prokuroria ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasve K.K., L.K. dhe G.K”, njoftoi prokuroria.
Kujtojmë se në lidhje me këtë ngjarje u vunë në pranga dy nipërit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj si dhe Gerald Kollçaku.
Për Klan News, Agron Kapllanaj deklaroi se një makinë është futur në oborrin e biznesit të vëllait të tij ku është ngritur një dron. Pas ngritjes së dronit thotë ish-kryebashkiaku, pati një debat mes njerëzve të tyre dhe hetuesve të BKH-së.
#Nipat #Agron #Kapllanajt #sulmuan #agjentin #BKHsë #dhe #policinë #prokuroria #nis #hetimet
Java News