Incidenti mes hetuesve të BKH dhe njerëzve të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, reagon policia: Ja çfarë ndodhi

Policia në Fier ka dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme, ku disa familjarë të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, janë shoqëruar në Komisariat pasi kanë kundërshtuar me forcë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në reagim thuhet se shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit pasditen e sotme, kur edhe u regjistrua incidenti.
Po ashtu sqarohet se efektivë të policisë dhe agjentët e BKH-së janë dhunuar teksa ndodheshin në aksin rrugor Fier-Patos.
“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, bën me dije policia.
Ndërkohë, vetë Kapllanaj, në një reagim përmes telefonit për A2 CNN, pretendon se incidenti ka nisur pranë zyrave të subjektit të tij politik, ku sipas tij agjentët e BKH kanë ngritur një dron dhe më pas ka vijuar në rrugë.
Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës ka pohuar se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet i pa loguar rreth orës 18:00 dhe prej andej ka ngritur një dron. Ky veprim sipas tij është kryer dhe në një kohë të dytë dhe ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës.
“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda”, pretendon Kapllanaj.
Pas debatit agjentët janë larguar me mjetin e tyre dhe janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të Agron Kapllanajt. Më tej Kapllanaj sqaron se pak minuta më vonë kanë arritur që ti ndalojnë dhe aty ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të Kapllanajt.
Por sipas këtij te fundit në asnjë moment nuk u është thënë që janë agjent të BKH. Siç pohoi ai të afërmve të tij u është nxjerr dhe armë në formë kërcënimi dhe vetëm pas këtij momenti u është thënë që kanë të bëjnë me agjentë të BKH.
Në këtë moment kanë mbërritur edhe forcat e policisë dhe kanë ulur gjakrat, ku kanë bërë shoqërimin e dy nipërve të Kapllanajt dhe zyrtarit të subjektit politik. Vetë Kapllanaj pohon se ndodhet në ambientet e policisë për të bërë kallëzim.
#Incidenti #mes #hetuesve #të #BKH #dhe #njerëzve #të #ishkryebashkiakut #të #Mallakastrës #reagon #policia #çfarë #ndodhi
Java News