Raporti vjetor i SPAK / Dumani: Rritet vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në 59.7%

Kreu i Strukturës së Posaçme, Altin Dumani, ka prezantuar ditën e sotme para Këshillit të Lartë të Prokurorisë raportin vjetor të SPAK-ut.
Dumani u shpreh se sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme ka ardhur në trend rritës. Krahasuar me vitin 2023, viti 2024 shënoi vlerën e 59.7% pasuri të sekuestruara e të konfiskuara. Sipas tij, vetëm në vitin 2024, arrin vlerën 65.5 milionë euro pasuri të sekuestruara e konfiskuara. Në vitin 2023 vlera e tyre arrinte rreth 41 milionë euro.
Kryeprokurori shpjegon se vlera e pasurive të sekuestruara zë 43.8% të vlerës totale ndërsa ato të konfiskuara 56%.
“Gjatë periudhës kohore 2021-2024, SPAK ka regjistruar një numër të lartë të procedurimeve të reja me një trend rritës kryesisht në vitet e fundit.
Vetëm gjatë 2024 janë regjistruar 328 procedime penale të reja, duke dëshmuar një rritje me rreth 9.7% krahasuar me vitin paraardhës.
Për veprat penale, të cilat janë në kompetencën e SPAK, krahas hetimit për veprat penale, nis edhe ai pasuror. Krahasuar me vitin 2023, vlera totale e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, ka shënuar një rritje të masën 59.7%. vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2024, që përllogaritet në vlerën totale prej 65.5 mln euro, kundrejt rreth 41 mln euro në vitin 2023. Prej tyre, vlera e pasurive të sekuestruara është shuma rreth 28.7 mln euro ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara, kjo vlerë arrin shumën rreth 36.7 mln euro. Kështu vlera e pasurive të sekuestruara zë 43.8% të vlerës totale ndërsa pasuritë e konfiskuara zë rreth 56% të vlerës totale.”, tha ai.
Lidhur me numrin e të paraburgosurve në vendin tonë, Dumani u shpreh se të paraburgosurit që ishin nën hetim nga SPAK përbënin vlerën 9.7% të totalit, ndërsa të burgosur për shkak të hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, përbente 9.5%.
“Numri i të parabugosurve nga SPAK përbën 9.7% të totalit. Nga 2793 të totalit, 270 prej tyre janë nën hetim nga SPAK. Ndërkohë, numri i të burgosurve që kanë marrë dënimin me burg nga hetimet nga SPAK përbën 9.5% të totalit.”, tha Dumani.
#Raporti #vjetor #SPAK #Dumani #Rritet #vlera #pasurive #të #sekuestruara #dhe #konfiskuara #në
Java News